Çmimet e gazit natyror kanë prekur rekorde të reja në Evropë më 1 tetor, duke rritur shqetësimet për konsumatorët në prag të sezonës së ftohtë.
Kjo gjë po ashtu rrit vëmendjen drejt furnizuesit më të madh të Evropës me gaz natyror, Rusisë.
Çmimet e gazit janë rritur për disa javë tashmë, ashtu siç janë shtuar paralajmërimet për konsumatorët e brendshëm dhe ata industrialë në Evropë për fatura më të shtrenjta.
Më 1 tetor, çmimi i gazit për nëntor, në qendrën holandeze TTF, një pikë referimi në Evropë, ka arritur maksimumin e të gjitha kohërave prej 97.73 euro megavat për orë (MWh).
Kjo shifër përbën rritje prej 400 për qind këtë vit.
Analistët kanë përmendur një kombinim faktorësh që kanë ndikuar në këtë rritje të çmimeve, duke përfshirë dërgesa të gazit në tregjet aziatike, riparimet teknike që kanë dëmtuar dërgesat nga Norvegjia dhe temperaturat më të ftohta se normale në fund të dimrit të kaluar që kanë ndikuar në zvogëlim të rezervave.
Mirëpo disa ekspertë drejtojnë gishtin edhe te gjiganti shtetëror i gazit në Rusi, Gazprom, i cili është furnizues kryesor i gazit në Evropë.
Muajin e kaluar, një grup i ligjvënësve të Parlamentit Evropian, i ka kërkuar Komisionit Evropian që të hetojë Gazpromin.
Kremlini ka thënë se Gazpromi është duke zbatuar të gjitha pikat e kontratës.
Gazpromi është në përfundim e sipër të projektit të dytë të gazsjellësit, Rrjedha Veriore 2, i cili do të rrisë sasinë e gazit rus që dërgohet në Gjermani.
Rregullatorët gjermanë janë duke analizuar detajet e fundit para se të japin dritën e gjelbër për të nisur puna.
Gazi nga Rusia në Gjermani do të kalojë përmes Ukrainës.
Kievi është ankuar për këtë gjë, duke thënë se Rusia mund të përdorë furnizimin me gaz si mjet politik, diçka që ka ndodhur në të kaluarën. /rel