COVID-19 në Kosovë dhe botë LAJME / KOSOVË Mijëra fletëvotime të pavlefshme në zgjedhjet e kaluara në Kosovë, KQZ me këshilla për mënyrën e votimit

Kanë mbetur edhe pesë ditë kohë që në Kosovë të mbahen zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

Zgjedhjet do të mbahen të dielën, më 14 shkurt, ndërkaq në listën përfundimtare të votuesve, KQZ ka bërë të ditur se janë 1,794,862 qytetarë, transmeton Telegrafi.

Por përkundër udhëzimeve që bëhen, votuesit sërish bëjnë disa gabime gjatë votimit, duke bërë që më vonë fletëvotimet e tyre të shpallen të pavlefshme. Kjo problematikë është përcjellë në pothuajse të gjitha zgjedhjet që janë mbajtur në Kosovë.

Sipas të dhënave të publikuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, më së shumti fletëvotime të pavlefshme janë shpallur në zgjedhjet e vitit 2007, ku numri i tyre ishte 56 mijë e 863.

Zgjedhjet e vitit 2001: 15 mijë e 493 fletëvotime të pavlefshme
Zgjedhjet e vitit 2004: 9 mijë e 430 fletëvotime të pavlefshme
Zgjedhjet e vitit 2007: 56 mijë e 863 fletëvotime të pavlefshme
Zgjedhjet e vitit 2010: 34 mijë e 6 fletëvotime të pavlefshme
Zgjedhjet e vitit 2014: 35 mijë e 567 fletëvotime të pavlefshme
Zgjedhjet e vitit 2017: 49 mijë e 107 fletëvotime të pavlefshme
Zgjedhjet e vitit 2019: 33 mijë e 271 fletëvotime të pavlefshme

Arsyet që një fletëvotim shpallet i pavlefshëm janë: Dëmtimi i qëllimshëm i fletëvotimit, votohet më shumë së një subjekt politik, votohet kandidat por jo subjekti politik, fletëvotimi i paplotësuar ose fletëvotimi i pavulosur.

Ndryshe, qytetarët që iu drejtohen kutive të votimit, me vete duhet të kenë dokumente të vlefshme, si letërnjoftim, pasaportë, dokument i udhëtimit dhe patentë shoferi.

KQZ ditë më parë ka treguar se si plotësohet fletëvotimi:

-Pasi të hyni në kabinën e votimit, sigurohuni që fletëvotimi është i vulosur.

-Në zgjedhjet për Kuvendin e Republikës së Kosovës, ju mund të votoni vetëm për një Subjekt Politik të renditur në anën e majtë të fletëvotimit, ndërsa në anën e djathtë mund të votoni deri në pesë kandidatë nga ai subjekt politik.

-Listën e kandidatëve dhe numrat e tyre i gjeni në broshurën që gjendet në kabinën e votimit.

-Për të mbrojtur fshehtësinë e votës, paloseni fletëvotimin para se të largoheni nga kabina dhe më pas vendoseni në kutinë e votimit.

-Të gjitha vendvotimet do të hapen në orën 07:00 dhe do të mbyllen në orën 19:00.

Theksojmë se në zgjedhjet e 14 shkurtit janë 143.006 votues më pak sesa në zgjedhjet e 6 tetorit 2019. Kjo ka ndodhur pasi që është bërë pastrimi i listave nga personat e vdekur dhe nga ata me dokumente të UNMIK-ut. Në listë janë mbi 102 mijë votues nga diaspora, që janë verifikuar gjatë ditëve të kaluara.