Delegacioni i Kosovës në Iowa, takohet me përfaqësues të lartë institucionalë

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës Donika Gërvalla, së bashku me ministrin e Mbrojtjes Armend Mehaj dhe ministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal Elbert Krasniqi, po qëndrojnë për vizitë zyrtare në shtetin e Iowa-s, me rastin e shënimit të dhjetë vjetorit të Programit për Partneritet Shtetëror mes Kosovës dhe Ioëa-s në sektorin e mbrojtjes.

Siç thuhet në komunikatën e MPJD-së, delegacioni i Kosovës po zhvillon takime me përfaqësues të lartë institucionalë të këtij shteti dhe janë duke marrë pjesë në një sërë aktivitetesh të organizuara me qëllim të shënimit të bashkëpunimit të shkëlqyer mes Gardës Kombëtare të Iowas dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Gjatë ditës së sotme janë pritur në takim nga guvernatorja e Iowa-s, Kim Reyndols. Në takim janë theksuar raportet e shkëlqyera mes Kosovës dhe Iowa-s të cilat janë të përkthyera në një sërë aktivitetesh të përbashkëta në kuadër të marrëveshjeve dypalëshe.

Me këtë rast ministrja Gërvalla ka falënderuar guverantoren Reynolds për partneritetin dhe ka nënvizuar se Republika e Kosovës sot është më e përgatitur ushtarakisht falë kësaj dekade bashkëpunimi mes të dyja vendeve.

Krahas sektorit të mbrojtjes, ky partneritet ka thënë se shtrihet edhe në fusha të tjera në kuadër të shumë marrëveshjeve dhe memorandumeve të bashkëpunimit në fushën e arsimit e ekonomisë që kanë të dyja shtetet simotra. Gjithashtu ka përmendur edhe projektet e binjakëzimit të qyteteve si tejet pozitive dhe ka theksuar përkushtimin e Kosovës, që të thelloj edhe më tej partneritetin dypalësh. Konkretisht kanë biseduar për mundësi të bashkëpunimit në fushën e kulturës dhe ekonomisë.

“Delegacioni i Kosovës i përcolli guverantores Reyndols ftesën e presidentes së vendit për të marrë pjesë në festimet e këtij 10 vjetori që do të mbahen në Prishtinë, të cilën e pranoi me kënaqësi. Në ambientet e konsullatës së Kosovës në Ioëa, zhvilluan takim me senatorin Zach Nunn dhe senatoren Annette Sweeney. Palët biseduan lidhur me zhvillimet aktuale në Kosovë dhe përpjekjet e Kosovës në drejtim të forcimit të subjektivitetit ndërkombëtar. U bisedua për rritje të bashkëpunimit dhe shkëmbimeve në sektorin e agrokulturës, arsimit e biznesit”, thuhet në njoftim.

Delegacioni pati takim edhe me përfaqësues nga komuniteti i biznesit te Ioëa-s në një organizim të organizatës për çështje ekonomike “The Greater Des Moines Partnership”.

Në këtë takim, kryediplomatja e Kosovës foli për klimën e përshtatshme të të bërit biznes në Kosovë dhe angazhimin e Qeverisë së re në forcimin e sundimit të ligjit si parakusht për tërheqje të investimeve të huaja. Bazuar në të dhënat e Bankës Botërore, Gërvalla njoftoi se Kosova gëzon rritje ekonomike solide në vazhdimësi në këto dhjetë vitet e fundit.

“Përmes Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit të nënshkruar me BE-në, Kosova ofron qasje të lirë në tregun e BE -së, por edhe kosto më të ulët të punës për shkak të një popullsie të re që ka”, ka shtuar ajo, duke përmendur edhe lehtësirat në fushën e taksave.