Dënohet drejtori i shkollës që lëshoi diplomë për nxënësin që s’e kreu klasën e 12

Me dhjetë muaj burgim me kusht, e ka dënuar Gjykata Themelore në Gjakovë, ish-drejtorin e shkollës së mesme “S. Mullaabazi – Mici”, në Rahovec, Ali Hoxha, i akuzuar për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe falsifikim të dokumentit zyrtar.

Mirëpo, ky dënim ndaj tij nuk do të ekzekutohet nëse ai në periudhën prej dy vjetësh nuk kryen vepër tjetër penale.

Ai gjithashtu është detyruar që të paguaj shpenzimet procedurale në shumë prej 50 eurosh. Aktgjykimi ndaj tij është shpallur në seancën fillestare të së enjtes, pasi ai paraprakisht e ka pranuar fajësinë për akuzat që i viheshin në barrë.

Pranimin e fajësisë nuk e ka kundërshtuar prokurori Agron Matjani, i cili ka kërkuar nga gjykata që me rastin e shpalljes së aktgjykimit, t’i ketë parasysh rrethanat lehtësuese, gjatë caktimit të llojit dhe lartësisë së dënimit, meqenëse i akuzuari ka pranuar fajësinë në mënyrë të vullnetshme.

Prokuroria Themelore në Gjakovë, kishte ngritur aktakuzë ndaj tij më 12 shtator 2018.

Sipas aktakuzës, më 30 maj 2017, derisa ushtronte detyrën e drejtorit të shkollës së mesme “S.Mullaabazi-Mici” në Rahovec, duke shfrytëzuar autoritetin zyrtar i njëjti i tejkalon kompetencat e tij me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete apo tjetrin.

Ai akuzohej se nxënësit Q. Sh i ka lëshuar dëftesën e klasës së 12-të dhe diplomën e përfundimit të shkollës së mesme të nënshkruar nga ana e drejtorit të shkollës, pa përfunduar klasën e 12-të dhe pa ju nënshtruar procedurës së provimeve.

Me këtë, ai akuzohej se ka kryer veprat penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422 par.1 i KPRK-së, si dhe veprën penale “falsifikim i dokumentit zyrtar” nga neni 434 par.1 i KPRK-së.