Gjykata Themelore në Mitrovicë ka dënuar me gjashtë vjet e gjashtë muaj burgim E.R, pjesëtar i Policisë së Kosovës i cili kishte shkaktuar aksident me fatalitet ku tre persona humbën jetën në Qubrel të Skenderaj më 26 janar të vitit 2025.
Poashtu, të dënuarit i është ndaluar drejtimi i automjeteve të kategorisë B për dy vite i cili hyn në fuqi pas përfundimit të dënimit me burgim.
“I pandehuri është shpallur fajtor për shkak të veprës penale “Rrezikimi i trafikut publik” nga neni 370 paragrafi 9 lidhur me paragrafët 8 dhe 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK), e cila parasheh minimumin e dënimit prej një (1) viti dhe maksimum të dënimit prej tetë (8) viteve.Gjykata ndaj të pandehurit ka shqiptuar dënim me burgim në kohëzgjatje prej gjashtë (6) vite e gjashtë (6) muajsh dhe dënimin plotësues “Ndalimi i drejtimit të automjetit”, ashtu që të pandehurit i është ndaluar drejtimi i automjeteve të kategorisë B për një periudhë prej dy (2) vitesh, afat i cili fillon të rrjedhë pas ekzekutimit të dënimit me burgim”, thuhet në komunikatën e Gjykatës.
Sipas aktakuzës, i pandehuri E.R. më datë 26.01.2025, rreth orës 18:45, në rrugën Rajonale Mitrovicë – Pejë, përkatësisht në fshatin Qubrel, Komuna Skenderaj, nga pakujdesia duke mos e përshtat shpejtësinë me kushtet e rrugës ka shkelur dispozitat e Ligjit nr. 08/L-186 Për Trafikun Rrugor, nenet 38, 45 dhe 50 në atë mënyrë që derisa i pandehuri E.D., kishte qenë duke e drejtuar automjetin zyrtar, ka humbur kontrollin mbi automjetin dhe kalon në shiritin e kahjes së kundërt dhe aksidentohet me automjetin VË Golf IV, të cilën e drejtonte tani i ndjeri A.G., dhe si rezultat i aksidentit, lëndime fatale kanë pësuar të ndjerët A.G., G.G .dhe Z.G. kurse lëndime të rënda trupore pëson vet i pandehuri si dhe pasagjerët e tij D.E., B.H. si dhe pasagjeri i automjetit Golf IV , fëmiu L.G.
Arsyetimin e këtij aktgjykimi palët do ta pranojnë me aktgjykimin e shkruar, ndërsa kundër të njëjtit kanë të drejtë ankese brenda afatit ligjor, duke filluar nga dita e pranimit të aktgjykimit.
