Deri më 2030, India mund ta kalojë Japoninë dhe Gjermaninë për t’u bërë ekonomia e tretë në botë

Sipas vlerësimit të kompanive financiare S&P Global dhe Morgan Stanley, India mund t’i kalojë Japoninë dhe Gjermaninë deri në vitin 2030, dhe të bëhet ekonomia e tretë më e madhe në botë.

Supozimi i S&P bazohet në parashikimin se rritja vjetore e PBB-së indiane do të jetë 6.3 për qind. Vlerësimi i Morgan Stanley është i ngjashëm, përkatësisht se GDP-ja e këtij vendi do të dyfishohet deri në vitin 2031 në krahasim me atë aktuale.

“India ka kushtet për një bum ekonomik të nxitur nga offshoring (zhvendosja e procesit të prodhimit), tranzicioni energjetik dhe infrastruktura e avancuar digjitale e vendit. Kjo do ta bëjë atë ekonominë e tretë më të madhe dhe tregun e aksioneve në botë deri në fund të kësaj dekade”, shkruajnë analistët e Morgan Stanley.

Rritja ekonomike e Indisë në tremujorin e tretë të këtij viti ishte 6.3 për qind, që është më e lartë se parashikimi i Reutersit se kjo rritje do të arrijë në 6.2 për qind. Kjo rritje në tremujorin e dytë ishte më e lartë për 13.5 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, si pasojë e kërkesës së fortë të brendshme në industritë e shërbimeve. Të dhënat e kompanisë financiare Refinitiv tregojnë se vendi pati një rritje rekord prej 20.1 për qind në tremujorin e dytë të vitit të kaluar.

Nëse parashikimet e S&P do të realizohen do të varet nga vazhdimi i liberalizimit tregtar dhe financiar të Indisë, reforma e tregut të punës, si dhe investimi në infrastrukturë dhe kapital njerëzor.

“Kjo është e arsyeshme të pritet nga një vend që ka shumë për të ofruar për rritjen ekonomike dhe rritjen e të ardhurave për njerëzit”, tha ekonomisti Dhiraj Nim.

Ai theksoi se disa nga reformat e lartpërmendura tashmë janë iniciuar, duke theksuar përkushtimin e qeverisë për rritjen e shpenzimeve kapitale. /koha