Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Dëshmitari kyç i turizmit snajperist në Sarajevë: vdiq vetë apo e hoqën...

Dëshmitari kyç i turizmit snajperist në Sarajevë: vdiq vetë apo e hoqën qafe?

Sllavko Aleksiç

Kush ishte Sllavko Aleksiç, çetniku i vendit prej nga ku qëllohej për qejf mbi boshnjakë?

Ka ndërruar krejt papritmas ai që konsiderohej si dëshmitari kryesor i Safarit të Sarajevës, pra turizmit të snajperistëve që paguanin për të vrarë boshnjakë, mes tyre dhe fëmijë, në Sarajevën e rrethuar nga serbët. Mes atyre që kanë qenë pjesë e kësaj afere kriminale, gati të pabesueshme për nga shkalla e lartë e mizorisë, përflitet dhe presidenti Vuçiç, aso kohe, një millosheviçist i betuar.

Fjala është për Sllavko Aleksiç, një ish-çetnik me pseudonimin Vojvoda, anëtar i Partisë Radikale Serbe të Vojisllav Sheshelit.

Sllavko Aleksiç ishte udhëheqës i njësisë paramilitare serbe të Bosnjës.

Ai vdiq në Trebinë edhe pse raportohet se ishte në gjendje të mirë shëndetësore.

Vdekja e tij ndodh në kohën kur në Itali kanë nisur hetimet për shtetas të huaj që kanë paguar anëtarë të forcave serbe të Bosnjës për të qëlluar mbi civilët, pra në atë që quhet Sarajevo Safari.

Aleksiç thuhet se kishte kontrollin e varrezave hebraike mbi Sarajevë, zonë që përdorej nga snajperët gjatë rrethimit. E sipas avokatit serb Çedomir Stojkoviq, Aleksiç ka qenë dëshmitar kyç “sepse mund të tregonte se kush qëlloi dhe kush organizoi gjithçka”.

Në rrjetin social X ai shkruan:

“Kjo vdekje lidhet drejtpërdrejt me faktet në rritje rreth organizimit të ‘Safari Snajper i Sarajevës’ dhe logjistikës së asaj organizate. Ne pamë modele të tilla veprimi të shërbimit tonë sekret gjatë kohës së Slobodan Millosheviçit dhe Jovica Stanishiçit. E pamë gjatë vrasjes së kryeministrit Gjingjiç, dhe para kësaj gjatë likuidimit të Stamboliçit, si dhe në shumë raste të tjera”.

Pra, aludohet se Aleksiç është hequr qafe nga ata që nuk duan të dalë e vërteta e një një krimi ndër më ç’njerëzorët e ndodhur në Sarajevë. /tesheshi

Exit mobile version