Ballina Lajmet Kosovë Dështon përsëri seanca ndaj Azem Sylës dhe të tjerëve në rastin “Toka”

Dështon përsëri seanca ndaj Azem Sylës dhe të tjerëve në rastin “Toka”

Sërish ka dështuar gjykimi ndaj tij, ish-deputetit të PDK-së, Azem Syla dhe të tjerëve, të cilët akuzohen për vepra të ndryshme penale që lidhen me krimin e organizuar, në gjykimin që njihet si rasti “Toka”.

Shkak për mos mbajtjen e seancës që ishte paraparë për të martën në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ka qenë mungesa e të akuzuarve Shaban Syla, Shpresim Uka, Fahredin Gashi dhe Lubisha Vojoviq.

Sipas kryetarit të trupit gjykues, gjykatësit Beqir Kalludra, për këta të akuzuar gjykata ka anuluar urdhëresën për sjellje nga qendra e paraburgimit, për faktin se gjykata është informuar ditën e djeshme nga qendra e paraburgimit në Mitrovicë, se i akuzuari Lubisha Vujoviq, gjendet i shtrirë në spitalin e Mitrovicës dhe sipas kësaj informate pritet t’i nënshtrohet një operacioni.

Në këtë seancë, ka munguar edhe e akuzuara Shqipe Maxhuni, për të cilën sipas gjykatësit Kalludra, gjykata është informuar nga mbrojtësi i saj, avokati Arianit Koci, se ajo ka probleme shëndetësore.

Për shkak të këtyre mungesa kjo seancë është shtyrë për 16 maj 2019, nga ora 09:00.

Ky shqyrtim nga fillimi i gjykimit është karakterizuar me zvarritje, në masën më të madhe, në kohën që gjykohej nga gjykatësit e EULEX-it.

Më 12,13 dhe 15 dhjetor të vitit 2016, ishte mbajtur seanca fillestare, në të cilin Azem Syla dhe të tjerët ishin deklaruar të pafajshëm për veprat penale me të cilat ngarkohen, Betimi për Drejtësi.

Pas seancave fillestare, mbrojtja brenda afatit prej 30 ditësh, kishte paraqitur kundërshtimet e tyre për provat dhe kërkesat për hedhjen e aktakuzës.

Kryetari i atëhershëm i trupit gjykues, gjykatësi Arkadiusz Sedeck, pasi kishte pranuar kundërshtimet e mbrojtjes, kishte refuzuar të njëjtat dhe më 4 prill 2017, kishte konfirmuar aktakuzën në shkallën e parë, ndërsa pas ankesave në Gjykatën e Apelit, shkalla e dytë e kishte konfirmuar aktakuzën më 26 tetor 2017.

Sedeck, fillimin e shqyrtimit gjyqësor e kishte caktuar, pas më shumë se një viti nga vendimi i Apelit, më 9 janar 2018, por e njëjta kishte dështuar për shkak të mosplotësimit të trupit gjykues.

Edhe pse kishte caktuar shumë seanca të tjera, gjyqtarët e EULEX-it nuk kishin mundur që të fillojnë këtë shqyrtim, pasi EULEX-i hoqi dorë nga ky rast dhe lënda kaloi të gjyqtari vendor Beqir Kalludra.

Ndërsa, pas disa dështimesh seanca e parë e këtij shqyrtimi ishte mbajtur më 3 shtator 2018.

Ndryshe, as prokuroria e as mbrojtja nuk kanë dhënë fjalët e tyre hyrëse.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), ka ngritur dy aktakuza, njëra me 17 persona dhe tjetra me 22 persona, ku në këtë të fundit, që ishte ngritur më 24 tetor 2016 përfshihet edhe ish-deputeti i PDK-së Azem Syla, që sipas PSRK-së, ai kishte qenë edhe udhëheqës i këtij grupi.

Bashkë me Sylën akuzohet edhe Shaban Syla, Ilaz Syla, Mexhid Syla, Arton Vila, Fahredin Gashi, Shpresim Uka, Nuhi Uka, Shqipe Maxhuni, Edvard Gashi, Sabedin Haxhiu, Ramadan Uka, Avdyrrhaman Brajshori, Lubisha Vujoviq, Gazmend Gashi, Elhame Uka, Lumnije Sopjani, Nyrtene Brajshori, Sami Maqedonci, Ndue Palushi, Ramadan Mavraj, Mustafë Haliti dhe Hajrullah Berisha

Aktakuza i ngarkon të pandehurit me vepra penale “krim i organizuar”, “pastrim i parave”, “marrje të mitos”, “mashtrim i rëndë”, “mashtrim në detyrë”, “nxjerrje të vendimeve gjyqësore të kundërligjshme”, “keqpërdorim i pozitës zyrtare”, “legalizimi i përmbajtjes së falsifikuar” dhe “evazion fiskal”.

Gjithashtu, të pandehurit akuzohen se në bashkëpunim, përmes veprimtarive kriminale i kanë privuar Kosovës pronat shoqërore, duke përfshirë falsifikimin e vendimeve dhe dokumenteve zyrtare, mashtrim dhe veprime tjera korruptive.

Hetimet në këtë rast ishin bërë edhe në bashkëpunim me Prokurorinë e Lartë për Krim të Organizuar në Beograd.

Exit mobile version