Kurani Famëlartë vendos një standard universal dhe të pandryshueshëm për vlerën e jetës njerëzore dhe nderimin e qenies njerëzore, pa asnjë përjashtim. Në dy ajete madhështore që përbëjnë themele të pashkëputshme të etikës islame, Allahu xh.sh. thotë:
1. “Në të vërtetë, Ne i kemi nderuar bijtë e Ademit…” (Isra, 70)
2. “…kush vret ndokënd, që s’ka vrarë njeri ose që nuk ka bërë çrregullime në Tokë, është sikur të ketë vrarë të gjithë njerëzit. Dhe, nëse dikush shpëton një jetë, është sikur të ketë shpëtuar jetën e krejt njerëzve…” (Maide, 32)
Biri i Ademit – simbol i çdo njeriu
Allahu i Madhërishëm në ajetin e sures Isra nuk thotë “besimtarët”, as “muslimanët”, por “bijtë e Ademit”. Kjo është një shprehje gjithëpërfshirëse që përfaqëson çdo qenie njerëzore, pavarësisht përkatësisë fetare, etnike, racore, kombëtare apo sociale. Vetë përkatësia ndaj Ademit si baba i përbashkët e bën çdo njeri të jetë i nderuar nga Zoti që nga momenti i krijimit të tij, pa pasur nevojë për ndonjë meritë të mëvonshme.
Ky nderim përfshin të drejtën për jetë, dinjitet dhe trajtim të nderuar në çdo fazë të ekzistencës.
Shpirti – i shenjtë që nga mitra
Në ajetin e sures Maide, Allahu Fuqiplotë përdor fjalën “shpirt” (نَفْسًا) dhe jo “njeri”. Ky detaj gjuhësor është i qëllimshëm dhe i thellë. Shpirti në Islam është burimi i jetës, dhe çdo shpirt është i shenjtë, madje që në mitrën e nënës.
Kjo tregon që edhe foshnja e palindur është jetë e mbrojtur dhe e nderuar. Aborti i pajustifikuar është një shkelje e drejtpërdrejtë e këtij parimi hyjnor.
Vlera e jetës përballë relativizmit modern
Në shumë shoqëri moderne:
• Eutanazia e mundëson fundin e jetës, edhe kur njeriu është ende në gjendje të ndjejë.
• Djegia e trupave, duke mohuar çdo nderim për kufomën.
• Varret fshihen pas disa viteve, duke humbur çdo kujtim dhe respekt për të vdekurit.
Të gjitha këto praktika bien ndesh me frymën e shenjtërisë që Islami ruan për jetën njerëzore në çdo etapë. Ky trajtim i njeriut përfaqëson një qasje materialiste, ku njeriu shihet si një mjet, dhe jo si një subjekt i shenjtë dhe i nderuar.
Në ndryshim, Islami e trajton njeriun si amanet të Zotit, dhe të gjithë duhet ta respektojnë, edhe pas vdekjes, përmes kujdesit të duhur ndaj trupit dhe kujtimit të tij.
Një qytetërim i ndërtuar mbi dinjitetin
Historia e qytetërimit islam na mëson se muslimanët kanë përparuar në dije, shkencë, art dhe teknologji, por asnjëherë nuk kanë prodhuar armë shkatërrimi në masë. Etika islame e luftës ka qenë gjithmonë e përqendruar në mbrojtjen e fëmijëve, të pafajshmëve dhe ruajtjen e jetës.
Në anën tjetër, qasja kapitaliste dhe materialiste e ka trajtuar jetën njerëzore si një mjet për prodhim. Njeriu vlerësohet sa prodhon; kur nuk është më “i dobishëm”, ai shpërfillet — qoftë si i sëmurë, i moshuar apo i lindur me nevoja të veçanta.
Krimet historike dhe filozofia pas tyre
Edhe muslimanët ndonjëherë gjatë historisë kanë bërë krime, kanë luftuar padrejtësisht dhe kanë shkelur parimet islame. Megjithatë, këto akte nuk ishin frymëzuar nga Islami, por nga ambiciet politike, etno-nacionalizmi, ose devijimet nga mësimet profetike. Islami nuk i justifikon këto akte, përkundrazi i dënon.
Në anën tjetër, krimet e civilizimit perëndimor, veçanërisht gjatë dy luftërave botërore, periudhës kolonialiste (dhe asaj që po shohim në Palestinë), janë kryer dhe po kryhen në përputhje me ideologji filozofike që mbështesin racizmin dhe darvinizmin social:
• Ideja se raca e bardhë është superiore, e cila ka justifikuar skllavërinë, shfrytëzimin dhe asgjësimin e popujve të tjerë.
• Filozofia e “njeriut si ujk për tjetrin” (homo homini lupus), që e sheh jetën si luftë të pandalshme për mbijetesë dhe dominim.
• Parimi darvinist se “vetëm më i forti mbijeton”, që ka motivuar spastrime etnike, zhdukje masive dhe zhvillimin e armëve të shkatërrimit në masë.
Këto filozofi kanë krijuar një kulturë dhune, ku jeta e njeriut matet me kontributin e tij ekonomik, racën, pozitën shoqërore apo interesat gjeopolitike.
Islami dhe Vlera e Jetës
Islami na mëson të kundërtën: Njeriu është i nderuar, jo për shkak të fuqisë së tij, por për shkak të natyrës së tij. Ai është krijesë e Allahut, bartës i një shpirti të lartë dhe subjekt i mëshirës hyjnore në çdo fazë të ekzistencës së tij. Ky mesazh është sot më i nevojshëm se kurrë, përballë kulturës së konsumit që e sheh njeriun si mjet, dhe jo si mëkëmbës të Zotit në tokë.
Hoxhë Korab Hajraj
