Disa emigrantë kthehen nga kufiri Poloni-Bjellorusi

Disa prej atyre që kërkojnë të migrojnë në Evropë u kthyen nga pika kufitare në kampin në zonën e pyllëzuar në kufirin Bjellorusi-Poloni, ndërsa të tjerët u zhvendosën në qendrën logjistike, e cila ishte përgatitur për të kaluar natën.

Shumica e atyre që udhëtuan për në Bjellorusi me viza nga Iraku në përpjekje për të kaluar në Poloni për të migruar në Evropë, u larguan nga pika e kalimit kufitar Bruzgi në Grodno të Bjellorusisë.

Disa nga ata që u larguan nga pika kufitare pasi forcat polake të sigurisë ndërhynë ndaj grupeve që përpiqeshin për të thyer barrierat pranë pikës kufitare, u kthyen në kampin që ngritën në pyll javën e kaluar, ndërsa të tjerët qëndruan pranë pikës kufitare.

Presidenti i Bjellorusisë, Aleksandr Lukashenko ka urdhëruar Prefekturën e Grodnos të përgatisë një vend të mbyllur për ata që janë në kufi për të kaluar natën.

Ndërkohë, Komisioni Bjellorus i Hetimit ka nisur një hetim në zonë pas një përleshjeje mes emigrantëve në kufi dhe forcave polake të sigurisë.

Duke vlerësuar ndërhyrjen e forcave polake të sigurisë kundër grupeve në anën bjelloruse, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Bjellorusisë, Anatoliy Glaz tha: “Është e kotë të thuhet se veprime të tilla shkelin drejtpërdrejt marrëveshjet ekzistuese dypalëshe dhe ndërkombëtare. Për mua personalisht, është e vështirë të imagjinohet se si mund të shpjegohet përdorimi i pajisjeve speciale në territorin e një shteti tjetër sovran. Prandaj, natyrisht, do të jetë një reagim formal nga ne.”

Komiteti Shtetëror i Kufirit të Bjellorusisë tha në një deklaratë se “Përdorimi i pajisjeve speciale dhe municionit kundër njerëzve të paarmatosur nga forcat polake të sigurisë është regjistruar.”

Përveç kësaj, sipas burimeve të Ministrisë së Jashtme të Irakut, 170 persona në kufirin Bjellorusi-Poloni aplikuan në ambasadën irakiane në Minsk për t’u kthyer në vend dhe u përgatitën pasaporta tranzite për 55 persona.

Ndërkohë, Kombet e Bashkuara (OKB) kanë bërë thirrje për ndalimin e përdorimit të forcës kundër emigrantëve që kërkojnë të kalojnë në Evropë në kufirin Bjellorusi-Poloni.

Farhan Haq, një zëdhënës i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, tha në një konferencë të përditshme për shtyp se ata nuk e kishin konfirmuar ende ndërhyrjen e forcave polake të sigurisë për t’iu përgjigjur emigrantëve në kufi me gaz lotsjellës dhe topa uji, por se është gabim që ata të trajtohen në këtë mënyrë.

Jaroslaw Kaczynski, zëvendëskryeministër i Polonisë dhe udhëheqës i Partisë Ligj dhe Drejtësi (PiS) në pushtet, tha se kriza e emigrantëve në kufirin Poloni-Bjellorusi nuk pritet të kthehet në konflikt të armatosur.

Kaczynski e përshkroi krizën në kufi si një luftë hibride.

“Lufta hibride vazhdon, por një konflikt që përfshin armë nuk është i dukshëm tani për tani”, tha ai.

Kaczynski theksoi se tensionet në kufi mund të vazhdojnë për një kohë të gjatë, ndërsa deklaratat e Bjellorusisë se po ndihmon refugjatët nuk pasqyrojnë realitetin.