Djemtë e kësaj moshe mund të rrezikojnë më shumë nga vaksina sesa nga Covid. Efekti anësor nga Pfizer

Djemtë e rinj të shëndetshëm mund të kenë më shumë gjasa të shtrohen në spital nga efektet anësore të rralla që shkakton vaksina Pfizer, si inflamacion të zemrës sesa nga vetë infeksioni i koronavirusit.

Këtë kanë pohuar studiuesit amerikanë, të cilët kanë analizuar të dhënat mjekësore të djemve të moshave nga 12 deri në 17 vjeç. Sipas tyre, djemtë e këtyre moshave pa probleme të tjera shëndetësore kanë katër deri në 6 herë më shumë gjasa të diagnostikohen me miokard të lidhur me vaksinën sesa të përfundojnë në spital me Covid, gjatë një periudhë katër mujore.

Shumica e djemve të rinj që përjetuan efektin e rrallë anësor, i raportuan simptomat brenda disa ditëve nga doza e dytë e vaksinës Pfizer, megjithëse një efekt anësor i ngjashëm është raportuar edhe me vaksinën Moderrna. Rreth 86% e djemve të prekur kanë kërkuar kujdes spitalor.

Saul Faust, profesor i imunologjisë pediatrike dhe sëmundjeve infektive në Universitetin e Southampton, i cili nuk ishte i përfshirë në këtë analizë studimore, ka deklaruar se gjetjet justifikojnë qasjen e kujdesshme ndaj vaksinave për adoleshentët nga Komiteti i Përbashkët i Britanisë për Vaksinat dhe Imunizimin.

JCVI nuk rekomandoi vaksinimin e fëmijëve të shëndetshëm 12 deri në 17 vjeç, por ia kaloi çështjen zyrtarëve kryesorë mjekësorë të cilët pritet të marrin një vendim përfundimtar javën e ardhshme.

Fëmijët e moshës 12 deri në 15 vjeç, të cilët janë veçanërisht të prekshëm nga Covid, ose që jetojnë me një person në rrezik, kanë të drejtë për vaksinën.

Edhe në studimin e fundit nga Tracy Hoeg dhe kolegë të tjerë në Universitetin e Kalifornisë rezultoi se shkalla e miokardit pas dy dozave të vaksinës Pfizer/BioNTech të jetë 162.2 raste për 1 milion për djemtë e shëndetshëm të moshës 12 deri në 15 vjeç dhe 94 raste për 1 milion për djemtë e shëndetshëm të moshës 16 deri në 17.

Normat ekuivalente për vajzat ishin 13.4 dhe 13 raste për 1 milion. Me normat aktuale të infeksionit në SHBA, rreziku që një adoleshent i shëndetshëm të dërgohet në spital me Covid në 120 ditët e ardhshme është rreth 44 për 1 milion.

Por se sa të besueshme janë të dhënat dhe nëse numra të ngjashëm mund të shihen në Britani nëse vaksinohen të shëndetshëm 12 deri në 15 vjeç janë të paqarta: Reagimet e vaksinave regjistrohen ndryshe në SHBA dhe dozat jepen në intervale më të gjata kohore në Britani. Sipas rregullatorit të ilaçeve në Britani, shkalla e miokardit pas vaksinimit ndaj Covid është vetëm gjashtë për 1 milion injeksione të Pfizer/BioNTech.

Deri më tani, fëmijët në Britani nuk janë shtruar në spital për Covid në numër të madh dhe mund të mos jenë në rrezik edhe ndaj Long Covid. Ndërsa studimi i fundit i Clock zbuloi se deri në 14% e fëmijëve që u infektuan Covid mund të kenë ende simptoma 15 javë më vonë, nivelet e lodhjes duken të ngjashme me ato tek fëmijët që nuk e kanë marrë ende virusin.

Pjesa dërrmuese e miokardit shfaqet pas dozës së dytë të vaksinës, kështu që ofrimi i vetëm një doze mund të mbrojë fëmijët duke ulur rrezikun e efekteve anësore.

“Ndërsa miokardi pas vaksinimit është jashtëzakonisht i rrallë, ne mund të jemi në gjendje të ndryshojmë dozat e para ose të dyta ose të kombinojmë vaksinat në mënyrë të ndryshme për të shmangur rrezikun, por pasi ta kuptojmë më mirë fiziologjinë,” thotë për The Guardian doktor Faust.

Edhe doktor Adam Finn, anëtar i JCVI në Universitetin e Bristol thotë: “Unë i qëndroj këshillës së JCVI, e cila nuk do vazhdojë në këtë periudhë me vaksinimin e fëmijëve të shëndetshëm 12 deri në 15 vjeç në bazë të rrezikut dhe përfitimit të rezultateve shëndetësore. Dhe kjo duke pasur parasysh pasigurinë aktuale – pasi ekziston një rrezik i vogël por i besueshëm që dëmet mund të rezultojnë më të mëdha se përfitimet modeste.” /tiranapost