Dodik: Do të formojmë ushtrinë e Republikës Serbe, në Srebrenicë nuk është kryer gjenocid

Anëtari i Presidencës së Bosnje-Hercegovinë, Milorad Dodik, ka thënë se Marrëveshja e Dejtonit ua lejon që të formojnë një ushtri të Republikës Serbe.

Ai në një intervistë për BBC ka theksuar se në Bosnje Hercegovinë nuk ka ushtri, por se ka vetëm Forca të Armatosura të Bosnje Hercegovinës, transmeton Klankosova.tv.

“Sipas Kushtetutës, nuk ka ndonjë ushtri të Bosnje Hercegovinës, por ka Forca të Armatosura të Bosnje Hercegovinës që nënkupton se janë të përbëra nga grupe etnike të ndryshme si serbë, boshnjakë dhe kroatë. Marrëveshja e Dajtonit qartazi i lejon etnitet në Bosnje që t’i kenë ushtritë e tyre”.

“Kjo është e drejta jonë Kushtetuese, ne e kishim dhënë vetëm pëlqimin tonë për një mënyrë tjetër të organizimit të forcave të ushtrisë në Bosnjë Hercegovinë, ne do ta tërheqim tani atë pëlqim”, ka thënë Dodik për BBC.

Ai tutje ka deklaruar se në Srebrenicë nuk është kryer gjenocid, sipas tij aty është kryer krim.

“Natyrisht, unë mund ta kuptoj frikën e njerëzve, por ushtria serbe është e ndershme dhe nuk ka kryer asnjë gjenocid. Ushtri të tjera kanë marrë pjesë në gjenocid, por nuk flitet për ato. Nuk ka dyshim se është bërë një krim në Srebrenicë. Ajo ishte bërë nga individë të papërgjegjshëm, dhe jo nga ushtria në tërësi”.

“Megjithatë, njerëzit kanë frika të ndryshme, serbët kanë frikë se e gjithë kjo zona do të mbizotërohet nga myslimanët dhe kanë frikë nga ardhja e emigrantëve nga shumë anë të botës. Këto janë edhe frika që ekzistojnë këtu”, ka thënë Dodik.