Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Dodik takohet me zyrtarë amerikanë në Washington disa muaj pasi iu hoqën...

Dodik takohet me zyrtarë amerikanë në Washington disa muaj pasi iu hoqën sanksionet

Lideri i serbëve të Bosnjës, Millorad Dodik, është takua këtë javë me zyrtarë të lartë amerikanë në Washington disa muaj pasi administrata e presidentit Donald Trump i hoqi sanksionet e vendosura ndaj tij për veprime që minojnë marrëveshjen e paqes së pasluftës në Bosnjë ë Hercegovinë, transmeton Anadolu.

Dodik, i shoqëruar nga zyrtarë të tjerë të Republikës Srpska, përfshirë presidenten në detyrë Ana Trisic Babic, zhvilloi takime me wekretarin e Mbrojtjes së SHBA-së, Pete Hegseth, kryetarin e Dhomës së Përfaqësuesve, Mike Johnson dhe zëdhënësen e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt.

Pas takimit me Hegseth, Dodik shkroi në platformën sociale amerikane X se sekretari i mbrojtjes e “kupton sa thelbësore janë forca, udhëheqja parimore dhe mbrojtja e vlerave të krishtere për ruajtjen e lirisë dhe dinjitetit të kombeve në mbarë botën”.

Ndërkohë, Zeljka Cvijanovic, anëtarja serbe e Presidencës së Bosnjës e Hercegovinës, u takua me zv/sekretarin e Shtetit, Christopher Landau. Sipas Departamentit të Shtetit, Landau theksoi interesin e SHBA-së për “zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik dhe theksoi përfundimin e gazsjellësit të Interkoneksionit Jugor si një prioritet strategjik energjetik”.

Më herët këtë muaj, Dodik dhe Babic vizituan Izraelin, ku u takuan me kryeministrin Benjamin Netanyahu dhe ministrin e Punëve të Jashtme, Gideon Saar.

Dodik, i sanksionuar fillimisht në vitin 2017 për minimin e Marrëveshjes së Paqes së Dejtonit të vitit 1995 dhe sërish në vitin 2022, u dënua vitin e kaluar me një vit burg dhe iu ndalua angazhimi politik për gjashtë vjet për mosrespektim të mbikëqyrjes ndërkombëtare.

I njohur për retorikën e tij të shpeshtë secesioniste, Dodik ka argumentuar vazhdimisht se Bosnja duhet të miratojë një marrëveshje të re politike ose të ndahet plotësisht.

Marrëveshja e Paqes së Dejtonit e vitit 1995, e cila i dha fund Luftës së Bosnjës, e themeloi Bosnjë e Hercegovinën si shtet të përbërë nga dy entitete, Federata e Bosnjë e Hercegovinës dhe Republikën Srpska. Megjithatë, mosmarrëveshjet mbi interpretimin dhe zbatimin e marrëveshjes mbeten burim tensioni.

Kritikët, përfshirë senatoren demokrate Jeanne Shaheen, e quajtën vendimin e administratës së Trumpit për heqjen e sanksioneve “të pamatur dhe të parakohshëm”, duke përmendur lidhjet e Dodikut me Rusinë dhe duke e akuzuar atë për minimin e Marrëveshjes së Paqes së Dejtonit.

Dodik mbetet nën sanksione nga Mbretëria e Bashkuar.

 

Exit mobile version