Dokumentohen 148 shkelje izraelite kundër gazetarëve palestinezë në muajin maj

Komiteti palestinez i Mbështetjes së Gazetarëve muajin e kaluar ka dokumentuar 148 shkelje izraelite kundër gazetarëve palestinezë në territoret e pushtuara, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një deklaratë organizata joqeveritare tha se muaji maj dëshmoi një rritje të sulmeve ndaj gazetarëve palestinezë nga forcat izraelite dhe nga kolonët hebrenj, duke i cilësuar sulmet si “një përpjekje për të parandaluar gazetarët palestinezë nga raportimi i sulmeve izraelite kundër palestinezëve dhe vendeve të tyre të shenjta”.

Sipas OJQ-së, shkeljet izraelite varionin nga arrestimet, frikësimet, të shtënat, sulmet verbale dhe fizike deri te incidentet e përplasjes me makina.

Në deklaratë thuhet se 11 gazetarë u arrestuan nga forcat izraelite në Bregun Perëndimor gjatë majit, ndërsa paraburgimi i pesë të tjerëve u zgjat pa gjyq.

“Forcat izraelite, në bashkëpunim me kolonët, ndërprenë punën e 61 gazetarëve dhe institucioneve të medias teksa mbulonin shkeljet izraelite në qytetet Kuds, Hebron dhe Jenin”, thuhet gjithashtu në deklaratë.

OJQ-ja gjithashtu vuri në dukje se profilet e 11 gazetarëve palestinezë në rrjetet sociale u pezulluan për shkelje të dyshuar të rregullave të publikimit.

Muajin e kaluar, gazetarja 51-vjeçare e Al Jazeera-s, Shireen Abu Akleh, u qëllua për vdekje teksa mbulonte një sulm ushtarak izraelit në qytetin Jenin të Bregut Perëndimor.

Zyrtarët palestinezë dhe Al Jazeera, thanë se ajo u vra nga forcat izraelite.

Nuk kishte asnjë koment nga autoritetet izraelite mbi raportin e OJQ-së. /aa