Dyshime për keqpërdorim të të dhënave të fëmijëve kosovarë nga organizata ‘World Vision’

Organizata ndërkombtare jo-qeveritare po dyshohet se përmes një programi për mbështetjen e fëmijëve në rajonin e Lipjanit, një qytet afër Prishtinës, keqpërdori të dhënat e tyre.

Autoritetet komunale ndërprenë bashkëpunimin me të ndërsa organet e hetuesisë kanë nis të mbledhin informacione për rastin.Organizata jo-qeveritare “World Vision” që vepron në tërë botën, por edhe në Kosovë, nisi një program në vitin 2018 përmes të cilit synohej mbështetja e fëmijëve në komunën e Lipjanit. Për këtë, kjo OJQ dhe ekzekutivi lokal lidhën edhe një marrëveshje bashkëpunimi ku u pajtuan për disa pika.Projekti nënkuptonte se duhet të mblidheshin të dhënat për fëmijët në nevojë dhe nuk shkoi shumë kohë, e numri i fëmijëve të regjistruar, prej 3-12 vjeç, shkoi mbi 3 mijë fëmijë nga rreth 30 fshatra të Lipjanit.
Por, tre vjet më vonë, prindërit filluan të ngrisin dyshime se kjo organizatë po keqpërdorë të dhënat e fëmijëve të tyre. Përderisa atyre ju ishte thënë që të dhënat e fëmijëve po mirren për përdorim të brendshëm, prindërit tash po pretendojnë se bërja publike e fotografive të fëmijëve me përshkrim që ka përmbajtje fetare, është bërë pa paralajmërim dhe pa marrë leje paraprake.KALLXO.com ka biseduar me disa prej prindërve të cilët i kishin fëmijët e tyre të regjistruar në programin e sponsorshipit nga World Vision. Të njëjtit, kanë thënë se nuk do të lejojnë që fëmijët të jenë më pjesë e programit.Veton Gajtani nga fshati Janjevë e Lipjanit, prind i njërit prej fëmijëve që ishte i regjistruar në programin e sponsorshipit të organizatës “World Vision”, thotë se publikimi i fotografive dhe videove me përmbajtje religjioze, ka qenë i papranueshëm dhe kurrë nuk e kishte dhënë arpovimin e tij që kjo të ndodh.“Mua si prind më ka penguar shumë, sepse i kanë pubiluar fotografitë e fëmijëve, por kanë publikuar edhe video. Kur e kemi kuptuar, menjëherë i kam ndalu fëmijët. Me sa e di edhe kontratat i kanë shkuputë me atë organizatë”, thotë Veton Gajtani për KALLXO.com.
Shqetësimet e tij Gajtani thotë t’i ketë drejtuar edhe tek zyrtarët hetues në Policinë e Kosovës.“Ne nuk e kemi ditë që kanë me i publiku ato fotografi e ato video. Jam intervistuar nga policia edhe atje i kam treguar këto detaje”, vazhdon Gajtani. “Përshkrimet nëpër fotografi të fëmijëve kanë qenë me përmbajtje fetare, kjo i bjen që i kanë keqpërodur”, pretendon Veton Gajtani nga Janjeva.Për shembull në faqen e internetit të World Vision është e publikuar video i një fëmije me emrin Aulona, i shkruan përshkrimi “10 vjeçarja nga Kosova të cilën e don Jesusi”. Në fakt, vajza është myslimane si rreth 90 për qind e Kosovës.Më poshtë në këtë përshkrim shkruan që Aulona jeton në një vend me shumicë myslimane “por ky territor me shumicë myslimane është i njohur si vend i hapur për religjione tjera”.
Edhe Haxhere Gashi nga Janjeva e kishte regjistruar vajzën e saj 9 vjeçare në programin e sponsorizimit dhe letërkëmbimit të organizatës “World Vision”. Në një bisedë për KALLXO.com ajo thotë se kur e kuptoi që letrat për vajzën e saj po vijnë me përmbajtje fetare, nuk lejoi vazhdimin e programit.“Ne shumë vonë e kemi kuptuar, javën e fundit këtë problem. I ka ardhur një kartolinë, edhe atë nuk ia kemi dhënë fëmijës për shkak se kam menduar që përmbajtja jo e mirë do të ndikonte negativisht”, thotë ajo.
“E kemi këqyrë vetëm ne prindërit, përmbajtja është krejt fetare dhe pak a shumë shkruan: ‘përshëndetje, si je a jeni mirë, të don Jezusi dhe unë të dua ty’. As nuk shkruan datë, as asgjë tjetër, vetëm emri i fëmijës tim edhe nënshkrimi i tij (donatorit) nëse veç ka qenë i vërtetë nënshkrim i vërtetë”, deklaron Gashi.Programi i letërkëmbimit të World Vision nënkupton që organizata i përcjell letrat nga një donator individual që është në shumicën e rasteve amerikan, te fëmijët që konsiderohen të varfër në mënyrë që të ndihmohen.Në fillim, siç shpjegon Haxhere Gashi, letrat e dërguara nuk kishin donjë përmbajtje religjioze apo të dyshimtë.“Fillimisht letra e parë ka qenë në rrregull, nuk ka pas naj përmbajtje të keqe, donatori ka treguar për jetën e tij , që ka dëshirë të ndihmojë fëmiun, ia ka uruar ditëlindjen dhe ka dërguar dhurata. Dhuratat zakonisht kanë qenë para, por organizata këtu në Kosovë kanë blerë rroba. Por, pastaj, u ndryshuan krejtësisht”, thotë ajo.
Gashi tha se ende nuk kanë kërkuar shpjegime nga organizata por do ta bëjnë një gjë të tillë se pse kanë ndodhur këto devijime.Metush Jashanica, drejtor i shkolles fillore “Migjeni” në fshatin Rufc i Ri në Lipjan e kishte regjistruar vajzen e tij të në programin e “World Vision”. Ai thotë se në kaluarën bashkëpunimi me këtë organizatë ishte i mirë derisa qasja e tyre ndryshoi.“Unë kam bashkëpunuar me këtë organizatë që shumë vite, por çka kam vrejtë kohën e fundit është se kanë pak anim, me tendenca fetare (të krishtera) apo me tendenca religjioze. E kam vërejtur se gjatë festave të kërshëndellave, pashkët ortodokse e këto çka janë vazhdimisht i urojshin fëmijët, ndërsa kur kishim festa të myslimaneve nuk i urojshin fare. Ky ka qenë momenti kur kam filluar të dyshoj”, thotë ai për KALLXO.com.Jashanica për këtë rast ka thënë se ka dhënë deklaratë edhe në polici. Ai ka treguar se fotografitë e fëmijëve i ka parë në faqen e internetit të “World Vision” së bashku me hetuesit.
“Atje, së bashku edhe me policin hetues e kemi pa në faqe të internetit që fotografitë e fëmijëve janë krejt janë të hapura, të gjithë kanë qasje! Letrat që neve na vinin (nga World Vision në fshat) ne nuk ua kemi dhënë drejtpërdrejtë fëmijëve dhe nxënse, sepse e kemi pa që kanë përmbajtje fetare dhe e dyshimtë”, thotë tutje ai.Dyshimi ka bërë që Jashanica të shkëpus bashkëpunimin me World Vision.Ujdia mes Komunës së Lipjanit dhe “World Vision”Me iniciativën e World Vision, në tetor të vitit 2018, Komuna e Lipjanit dhe organizata jo-qeveritare “World Vision” lidhjen një marrëveshje bashkëpunimi që shkruante “fëmijët të kenë kujdesin e duhur, të jenë të mbrojtur dhe të gëzojnë arsim gjithëpërfshirës nga shërbimet e integruara në nivel komune”.Marrëveshja që ka siguruar Kallxo.com thotë “Fëmijët, të rinjtë, aktorë lokal në partneritet me komunitetin marrin pjesë në mënyrë aktive dhe avokojnë për sisteme dhe sturktura të drejta për fëmijët dhe të rinjtë. Përmes projektit të sponsorishipit/letërkëmbimit të bashkëmenaxhuar me partnerët në zonë të kryhet monitorimi dhe menaxhimi i rasteve të fëmijëve sipas rolit dhe përgjegjësisë së strukturave në nivel komune”.E gjithë kjo marrëveshje, sipas Elmaze Behlulit, drejtoreshës së Arsimit në Lipjan, kishte për qëllim përmirësimin e mirëqenies së fëmijëve në komunën e Lipjanit. Por, pas gati tri viteve bashkëpunim, Behluli thotë se panë që marrëveshja nuk po respektohet nga organizata.“Në rastin e kësaj organizate Komuna e Lipjanit konsideron se World Vision International dhe Kosovë nuk ka qenë të sinqertë dhe transparent në shpjegim të detajeve të programit dhe qëllimit të tyre. Si pasojë, pas fillimit të zbatimit nëpër faza të ndryshme të projektit, kemi pa që po zhvillohen aktivitete të tjera teknike që nuk janë përmendur në marrëveshje”, thotë ajo për KALLXO.com.
Sipas drejtoreshës së DKA-së në Lipjan, aktivitetet e “World Vision” nuk korrespodonin me sistemin ligjor dhe kushtetues të Kosovës. “Gjithashtu kemi parë që ka qëllime përtej asaj çfarë është shkruajtur në marrëveshje”, tha ajo.
Ajo tha se kishin pranuar shqetësime nga prindërit e fëmijëve për të cilat Behluli tha se kishin kërkuar shpjegime nga “World Vision” por që ata kishin refuzuar të përgjigjen.“Edhe pse ju kemi tërhjekur vërejtjen disa herë verbalisht në takime të ndryshme, menaxhmenti i World Vision nuk i ka marrë parasysh duke neglizhuar komunën dhe marrëveshjen në fjalë, gjë që na ka detyruar që t’i dërgojmë letër parlamejëruese për shkëputje të marrëveshjes më 21 janar, 2021. Ata nuk janë prëgjegjur në këtë letër.” shpjegon udhëheqësja e Drejtorisë së Arsimit.“Duke treguar arrogancë dhe papërgjegjësi, përfshirë shqetësimet nga prindërit dhe shkollat, kemi vendosur që të ndërkrejmë marrëveshjen përfundimisht”, tha Behluli.Drejtoresha e DKA-së tha se organizata kishte bërë disa tejkalime gjatë publikimit të fotografive të fëmijëve dhe në përshkrimet e tyre. Po ashtu, ajo tha se kishte dyshime për joshje të fëmijëve përmes dhuratave.
“Publikimi i imazheve të fëmijëve me përshkrime denigruese duke i paraqitur të gjithë fëmijët si të varfër (edhepse nuk ishin të varfër) dhe me sllogane me mesazhe fetare për qëllime profiti për të cilat familjet dhe ne nuk kemi qenë në dijeni”, tha ajo.Të gjitha këto, por edhe detaje të tjera, ajo thotë se i shtyri të marrin vendim për shkëputjen e marrëveshjes së bashkëpunimit. Letrat me përmbajtje religjioze të dërguara, sipas saj, ishin në kundërshtim edhe me legjislacionin në fuqi në Kosovë.“Joshja e fëmijëve me dhurata të ndryshme, letra me përmbajtje të papërshtatshme për fëmijët që synonin lidhje emocionale të pakuptueshme mes disa dhuruesve të fondeve të kësaj organizate dhe fëmijëve, dhe letra me mesazhe dhe përmbajtje fetare nuk korrespodojnë me sistemin ligjor ne Kosovë ku arsimi është laik”, deklaroi ajo.Elmaze Behluli konfirmoi se tashmë rasti po hetohet nga Policia e Kosovës. Për këtë ajo tha se po bashkëpunojnë me organet e rendit.
“Po janë duke u zhvilluar hetimet, do të vazhdojmë të bashkëpunojmë me policinë dhe të gjitha institucionet e tjera sepse është obligim ligjor i yni që të del në pah e vërteta e veprimtarisë së kundërligjshme të kësaj organizate, si dhe të sigurohemi që komunat tjera të mos nënshkruajnë marrëveshje të tillë”, deklaroi ajo.Qëndrimi i “World Vision” ndaj akuzave për keqpërdorim të fëmijëveEljona Elmazi, përfaqësuese e organizatës “World Vision” për Kosovë, ka mohuar se të dhënat e fëmijëve po keqpërdorën përmes programit. Ajo tha se aktualisht programi i sponsorizimit apo letërkëmbimit është pezulluar, por po negociojnë me autoritetet lokale për të rifilluar atë.“Aktualisht, World Vision është duke rishikuar proceset e programit të sponsorizimit të fëmijëve, ndërsa jemi duke bashkëpunuar me autoritetet vendore për të siguruar që programi i sponsorizimit në Kosovë të mund të rifillojë”, tha ajo në një përgjigje për KALLXO.com.Tutje, ajo tha se organizata vepron në rreth 100 vende të botës ku numri i fëmijëve në programe tejkalon shifrën e tre milionëve.“Në të gjitha kontekstet e vendeve ku punojmë, ne bëjmë të gjitha përpjekjet që të shpjegojmë punën e World Vision, ashtu sikurse edhe vlerat e organizatës, misionin dhe mënyrën se si funksionon programi i sponsorizimit”, thotë ajo.Duke mohur akuzat e prindërve për keqpërdorim të fotografive, Eljona Elmazi tha se ata janë informuar paraprakisht për publikimin e tyre. Por, nuk tregoi nëse prindërit janë informuar edhe për përshkrimin që i është bërë fotografive.“Përpara se një fëmijë të bëhet pjesë e programit, çdo prind apo kujdestar informohet paraprakisht se ku publikohen fotot e fëmijëve dhe cilat të dhëna të tyre bëhen publike. Ne marrim miratimin dhe lejen e tyre për përdorimin e imazheve dhe informacioneve të fëmijës duke respektuar standardet ndërkombëtare dhe vendore të mbrojtjes së fëmijës”, thotë ajo.KALLXO.com pyeti nëse letrat e dërguara nga personat që mendohet të jenë sponsor kanë pasur përmbajtje fetare.“World Vision iu shërben të gjithë njerëzve bazuar në nevojën e tyre pavarësisht besimit fetar, racës, etnisë, gjinisë apo krahut politik. Kjo mbështetje bëhet e mundur krahas bashkëpunimit gjithëpërfshirës që kemi me institucionet dhe partnerët”, thuhet tutje në përgjigjen e organizatës.Por, ndryshe nga vetë organizata mendojnë një grup punëtorësh të “World Vision” që punojnë për zyrën e kësaj organizate në Prishtinë.Grupi i aktivistëve dhe punëtorëve kosovarë të World Vision që i kishin ngritur këto probleme me menaxhmentin rajonal e ndërkombëtar të kësaj organizate përbëhet nga Argjend Reçica, zyrtar i të dhënave në organizatë mbi një vit punë dhe mbi tre vite vullnetar i komuitetit, Alban Gajtani, praktikant dhe vullnetarë në organizatë që tre vite, Ardiana Lahu, projekt kordinatore, Selvije Kurti, lehtësuese e zhvillimit, Bletë Rashiti, koordinatore e terrenit prej rreth dy vitesh, Gazmend Rexhepi, zyrtar administrative prej rreth dy vitesh, Krenare Luma koordinatore e terrenit dhe mbi tre vite punë vullnetare dhe Vehbi Kllokoqi, lehtësues zhvillimi prej rreth tre vitesh.Ata konfirmuan për Kallxo.com se publikimi i fotografive nga organizata ishte bërë pa i paralajmëruar fëmijët.Njëkohësisht, këta ish punëtorë të World Vision thanë se e kanë pezulluar punën për organizatën në momentin kur e kanë kuptuar se mesazhet në letra që u drejtoheshin fëmijëve ishin kundër frymës laike që aplikohet në Kosovë, pa indoktrinim fetar.Ky grup, që ka bërë deklaratë grupore për Kallxo.com thotë se “kemi konsideruar se ndjeshmëria e përmbajtjes së letrave me mesazhe fetare, e shumë elemente të tjera të letrave që vinin nga spnsori/donatori nuk korrespondonin me kontekstin ligjor, kulturor kosovar, e aq më pak moshën e fëmijëve”.“Ajo që ka qenë shumë tronditëse për ne ka qenë publikimi i fotove dhe video të fëmijëve, ku fëmijët përshkruhen si të varfër, pa qenë të tillë, dhe përdoren sllogane e thirrje fetare me qëllim të joshjes për profit të organizatës, por nuk e reflektojnë të vërtetën. Ne si staf lokal nuk kemi pas informata për këtë”, thuhet tutje në përgjigje.Grupi prej tetë punëtorësh të organizatës thanë se për dyshimet e tyre kanë njoftuar edhe shkollat dhe institucionet tjera relevante.Edhe Ministria e Arsimit ka filluar të mbledh informacione për këtë.“MASHTI ka takuar të gjitha palët e përfshira në këtë rast si dhe drejtoreshën e organizatës për Kosovë. Aktualisht jemi duke i analizuar të dhënat të cilat i kemi marrë dhe shumë shpejt do të dalim me një vendim në lidhje me këtë çështje”, thotë përgjigjja e MASHTI-t për Kallxo.com“Si Ministri nuk jemi të njoftuar nga Drejtoria Komunale për Arsim në Lipjan për shkëputjen e marrëveshjes dhe ende nuk kemi marrë informacione lidhur me këtë çështje”, thuhet në përgjigjen e ministrisë. /kallxo