Ekspertët e OKB-së: 9 nga 10 vrasje të gazetarëve mbesin të pandëshkuara

Ekspertët e OKB-së thanë se nëntë nga 10 vrasjet e gazetarëve vazhdojnë të mbeten të pandëshkuara, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një deklaratë të përbashkët për ditën ndërkombëtare për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë për krimet kundër gazetarëve, ekspertja e OKB-së për lirinë e mendimit dhe shprehjes, Irene Khan; raportuesi special për ekzekutimet jashtëgjyqësore, Morris Tidball-Binz; si dhe ekspertja për dhunën ndaj grave, Reem Alsalem, u bënë thirrje vendeve të hetojnë dhunën ndaj gazetarëve dhe të ndjekin penalisht autorët.

“Siguria e gazetarëve mbetet e pasigurt si kurrë më parë, mosndëshkimi për krimet kundër tyre është aq i lartë dhe këmbëngulës sa më parë”, thanë ata, duke shtuar: “Gjatë vitit të kaluar, në mbarë botën, gazetarët janë kërcënuar, ngacmuar, sulmuar fizikisht, rrëmbyer, arrestuar arbitrarisht, janë zhdukur me forcë, torturuar dhe vrarë, thjesht për kryerjen e detyrës së tyre”, thuhet

Kërcënimet për sigurinë e gazetarëve nuk janë pakësuar, por kanë marrë forma të reja në epokën digjitale, veçanërisht për gratë gazetare.

Në raport thuhet se përderisa gazetarët meshkuj dhe femra kërcënohen gjatë kryerjes së punës së tyre, femrat janë në rrezik shumë më të lartë të sulmeve seksuale dhe dhunës në bazë gjinore në internet, duke përfshirë ngacmimin në internet, përdhunimin dhe kërcënimet me vdekje.

“Dështimi për të hetuar dhe adresuar sulmet në internet ka pasoja në jetën reale për gratë gazetare, duke ndikuar në shëndetin e tyre mendor dhe fizik”, thanë ekspertët.

Sipas deklaratës, dështime të tilla minuan besimin dhe autonominë e gazetarëve, duke i stigmatizuar dhe duke gjeneruar frikë, turp dhe dëmtim të reputacionit.

– Raste ekstreme

“Në raste ekstreme, kërcënimet në internet mund të përshkallëzohen në dhunë fizike dhe madje edhe vrasje, siç tregoi vrasja e Daphne Caruana Galizia”, thanë ekspertët, duke iu referuar gazetares e cila luftoi korrupsionin në Maltë.

“Sulmet ndaj gazetarëve janë një sulm ndaj të drejtës së shoqërisë për t’u informuar, ndaj të drejtës për lirinë e shprehjes si dhe shumë të drejta të tjera të njeriut, duke përfshirë të drejtën për jetën dhe lirinë e individëve në fjalë”, thanë ekspertët.

Ata bënë thirrje që të ndërmerret më shumë për mbrojtjen e gazetarëve, duke theksuar se masat kombëtare dhe ndërkombëtare për mbrojtjen e sigurisë së gazetarëve po dështojnë.

Vitin e kaluar, sipas UNESCO-s, 62 gazetarë në mbarë botën u vranë vetëm për shkak të kryerjes së detyrave të tyre, thuhet në një deklaratë të mëparshme të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së Antonio Guterres.

“Shumë humbën jetën gjatë mbulimit të konfliktit. Por në vitet e fundit, numri i punonjësve të medias të vrarë jashtë zonave të konfliktit është rritur”, tha Guterres, duke shtuar se në shumë vende, hetimi i thjeshtë i korrupsionit, trafikimit, shkeljeve të të drejtave të njeriut apo çështjeve mjedisore vë në rrezik jetën e gazetarëve. /aa