Ekspertiza për vdekjen e Deharit, Instituti i Mjekësisë Ligjore dhe familja pritet ta caktojnë shtetin ku do të kryhet

Ministri i ri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, javën e kaluar në mbledhjen e Qeverisë ka kërkuar fonde shtesë për ekspertizën për rastin Dehari.

Të martën, në një prononcim për Gazetën Express, Tahiri ka dhënë detaje të reja rreth kësaj çështjeje.

Tahiri ka thënë se gjatë kësaj jave do të bisedojnë me familjen e Astrit Deharit ku do të diskutohet se në cilin shtet do të bëhet kjo ekspertizë ndërkombëtare.

Duke pasur parasysh rekomandimet e Kuvendit ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ka thënë se, në bazë të Institutit të Mjekësisë Ligjore, për një ekspertizë ndërkombëtare për rastin Dehari, do të duhej një shumë prej rreth 50 mijë eurosh, për të cilën thotë se tashmë ia ka bërë me dije Ministrisë së Financave.

Ai ka thënë për Express se mjetet ende nuk janë ndarë.

“Rekomandimet e rezolutës së Kuvendit më obligojnë që në bashkëpunim me familjen e të ndjerit Dehari me caktu një vend të shteteve të BE-së ose Shteteve të Bashkuara të Amerikës për një ekspertizë të mëtutjeshme për rastin e vdekjes së Astrit Deharit”, tha ministri.

Tahiri tha se Instituti i Mjekësisë Ligjore do të angazhohen që të kontaktojnë me familjen Dehari, e në koordinim me ta, konform rekomandimeve të Kuvendit, ai do të veprojë.

I pyetur për caktimin e vendit për ekspertizën ndërkombëtare për rastin Dehari, ministri tha se ende nuk është vendosur, por gjatë javës do bisedojnë me familjen Dehari dhe rasti do të procedohet më tutje. “Gjatë javës do të bisedojmë me familjen, pasi është stafi i angazhuar që do të merren me këtë, shohim a kanë ndonjë rekomandim, në kuadër të atyre rekomandimeve të Kuvendit, do ta procedojmë më tutje”.