Eksporti i drithërave – Rusia: Përgjegjëse për çminimin e porteve në Detin e Zi është Ukraina

Ministria e Mbrojtjes së Rusisë bëri me dije përmes një deklarate me shkrim se Alexander Fomin dhe Martin Griffiths janë takuar në kryeqytetin Moskë.

“Gjatë takimit u diskutuan problemet në eksportin e drithërave nga Ukraina. Fomin theksoi se Rusia nuk i bllokon portet e Ukrainës në Detin e Zi. Korridori humanitar, përmes të cilit anijet mund të largohen nga portet ukrainase, është i hapur që nga marsi 2022”, thuhet në deklaratë, ku gjithashtu theksohet se zyrtarit të OKB-së i është komunikuar që përgjegjëse për çminimin e porteve në Detin e Zi është Ukraina.

Pasi vihet në pah se kriza në sektorin ushqimor është shkaktuar nga sanksionet që Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet perëndimore kanë vendosur për zinxhirët e transportit, në këtë deklaratë saktësohet po ashtu se disa kufizime po zbatohen edhe për drithërat, sektor në të cilin Rusia është një prej eksportuesve kryesorë.

Trupat ruse filluan një sulm në Ukrainë më 24 shkurt (2022). /trt