Erdoğan: Aktualisht qëndrimi i Turqisë për anëtarësimin e Finlandës dhe Suedisë në NATO nuk është pozitiv – VIDEO

“Aktualisht po ndjekim zhvillimet. Aktualisht nuk kemi një qëndrim pozitiv për çështjen e Suedisë dhe Finlandës (hyrjes në NATO)”, u tha gazetarëve Erdoğan pas namazit të xhumasë në Stamboll

Turqia, një anëtare prej kohësh e NATO-s, po ndjek diskutimin mbi Finlandën dhe Suedinë që kërkojnë t’i bashkohen aleancës, por për momentin nuk ka një këndvështrim pozitiv, tha sot presidenti i vendit, Recep Tayyip Erdoğan, raporton Anadolu Agency (AA).

“Aktualisht po ndjekim zhvillimet. Aktualisht nuk kemi një qëndrim pozitiv për çështjen e Suedisë dhe Finlandës (hyrjes në NATO)”, u tha gazetarëve Erdoğan pas namazit të xhumasë në Stamboll.

Duke thënë se këto “vende skandinave janë si bujtina të grupeve terroriste”, Erdoğan shtoi: “Ka përkrahës të terrorizmit në parlament. Ne nuk mund të jemi pozitiv ndaj kësaj”.

Në korrik 2020, Turqia kritikoi një video-takim midis ministrit të Jashtëm të Suedisë dhe anëtarëve të grupit terrorist YPG/PKK, dega siriane e PKK-së. Ministria e Jashtme turke tha se incidenti “ngre pikëpyetje serioze në lidhje me qasjen e Suedisë për të luftuar terrorizmin si çështje prioritare”.

Sipas rregullave të NATO-s, çdo vendim për zgjerimin duhet të merret “me marrëveshje unanime”, duke i dhënë në mënyrë efektive Turqisë fuqinë për të vënë veton ndaj çdo anëtari të ri.

Hapi i SHBA-së ndaj YPG/PKK-së “i papranueshëm”

Duke iu kthyer vendimit të SHBA-së për heqjen e sanksioneve ndaj rajoneve të kontrolluara nga YPG/PKK në Siri, Erdoğan theksoi se YPG/PKK është një grup terrorist dhe se “Turqia nuk mund ta pranojë” një vendim të tillë.

“Ne nuk kemi luksin të shpërfillim terroristët. Ua themi këtë të gjitha vendeve që na duken miqësore”, tha ai, duke i bërë thirrje që t’u kushtojnë vëmendje veprimeve të tyre.

Për më shumë se 30 vjet, PKK, e cila është shpallur organizatë terroriste në Turqi, SHBA dhe në Bashkimin Evropian, ka qenë përgjegjëse për vdekjen e rreth 40 mijë njerëzve, përfshirë gra, fëmijë dhe të moshuar. YPG është dega siriane e PKK-së. /aa