Erdogan: Ankaraja është kundër vendimeve që cenojnë integritetin e Ukrainës

Presidenti Rexhep Tajip Erdoan (Recep Tayyip Erdoğan) zhvilloi të martën një bisedë telefonike me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky.

Presidenti Rexhep Tajip Erdoan (Recep Tayyip Erdoğan) zhvilloi të martën një bisedë telefonike me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky.

Drejtoria e Komunikimeve të Turqisë raportoi se krerët e shteteve diskutuan situatën rreth Ukrainës në sfondin e vendimit të Rusisë për të njohur të ashtuquajturat republika Donjeck dhe Lugansk.

Në këtë bisedë telefonike, të cilën e realizoi kur ishte në Senegal, stacioni i dytë i turneut në Afrikë, Presidenti Erdoan tha se ai po i ndjek nga afër zhvillimet në Donbas dhe zbatimin e vendimeve të fundit të marra nga Këshilli i Sigurisë të Rusisë në mbledhjen e fundit të jashtëzakonshme.

Erdoan vuri në dukje se qëndrimi i Ankarasë për situatën në Ukrainën lindore u pasqyrua qartë në deklaratën e Ministrisë së Jashtme turke.

Udhëheqësi turk theksoi se vendimi i presidentit rus Vladimir Putin për të njohur të ashtuquajturat republika është i papranueshëm.

“Ankaraja kundërshton çdo vendim që cenon integritetin territorial të Ukrainës. Për të zgjidhur problemin [në Donbas] është e nevojshme të përdoren të gjitha mundësitë e diplomacisë ndërkombëtare”, theksoi Erdoan sipas Drejtorisë së Komunikimeve.

Kurse Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskiy në postimin që bëri në profilin e tij ne Twitter ka shkruar: “I shpreha mirënjohjen time Presidentit Erdoan për mbështetjen e qëndrimit të Ukrainës kundër vendimeve të fundit provokuese të Rusisë”

Zelenskiy theksoi gjithashtu se ai e falënderoi Erdoanin për mbështetjen e tij lidhur me propozimin për mbajtjen e një samiti të përbashkët me anëtarët e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, ku do të marrin pjesë Gjermania, Turqia dhe Ukraina. /trt