Erdogan kërkon nga Kuvendi t’i jepet fund ‘FETO’-s në Shqipëri: I kanë rrënjët kudo

Presidenti turk, Recep Tayip Erdogan i kërkoi Shqipërisë të zgjidhë përfundimisht çështjen e organizatës së Fetullah Gulen, ‘FETO’, të cilën e akuzon për grushtin e shtetit të vitit 2016.

Erdogan e cilësoi parakusht të marrëdhënieve të mira me Shqipërinë luftën kundër asaj që ai e quan organizatë terroriste, që sipas presidenti turk i ka shtrirë rrënjët kudo, në arsim, fe e sipërmarrje.

Ai tha se institucionet e lidhura me ‘FETO’ kanë agjentë të fshehtë, që herët a vonë e nxjerrin kokën diku.

“Lufta kundër organizatës terroriste FETO, që synoi një grusht shteti në Turqi, është një nga ndjeshmëritë tona. Ata vazhdojnë të jenë në Shqipëri në çdo fushë; në arsim, fe dhe sidomos në sektorin privat. E shohim si parakusht, edhe këtu institucionet e lidhura me FETO kanë agjentë të fshehtë. Sa më shpejt të shpëtoni nga kjo strukturë që përbën kërcënim për sigurinë e Shqipërisë, rrezikon të përsëritet tek ne. Ne kemi paguar një kosto shumë të rëndë. Presim që Shqipëria të marrë masa të menjëhershme”, u shpreh presidenti turk, teksa theksoi se shpreson që kjo çështje të jetë mbyllur përfundimisht gjatë vizitës së tij të ardhshme në Shqipëri.

Presidenti turk e vlerësoi si një marrëdhënie të ngritur zyrtarisht në nivelin e partneritetit strategjik, atë mes Shqipërisë dhe Turqisë, teksa vlerësoi rolin konstruktiv të Shqipërisë në bashkëpunimin rajonal.

Sipas Erdogan, marrëdhënia 600-vjeçare mes Turqisë dhe Shqipërisë nuk është vetëm ajo mes dy shteteve, por edhe mes dy kombeve që sipas tij ka gjurmë kudo. /euronews