Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, ka bërë të ditur se tërmetet e 6 shkurtit të vitit 2023 në jug të Turqisë shkaktuan një kosto ekonomike prej rreth 250 miliardë dollarësh, duke përfshirë dëmet direkte dhe indirekte, raporton Anadolu.
“Këto tërmete, një nga fatkeqësitë më të mëdha në historinë tonë, shkaktuan një kosto direkte për ekonominë tonë prej 104 miliardë dollarësh dhe një kosto indirekte prej 150 miliardë dollarësh”, tha Erdogan në një ceremoni përkujtimore në Osmaniye, në jug të Turqisë.
Por, tha Erdogan, si një shembull i shkëlqyer solidariteti, shteti dhe kombi turk i shëruan së bashku plagët e shkaktuara nga tërmetet, duke theksuar: “I treguam botës edhe një herë forcën e Turqisë”.
“Ata u përpoqën të shfrytëzonin emocionet e viktimave tona të tërmetit. Nuk ka shpifje, gënjeshtër apo dezinformim që këta ‘turistë të tërmetit’ nuk e përhapën”, tha ai, duke iu referuar kritikëve të reagimit të qeverisë ndaj tërmetit dhe duke i akuzuar se e përdorën zonën e goditur vetëm për fotografi, pa bërë asgjë për të ndihmuar të mbijetuarit.
Erdogan tha se brenda vetëm tre vitesh, qeveria rindërtoi dhe rigjallëroi qytetet e goditura nga tërmetet. Ai tha se deri më tani, qeveria ka dorëzuar 455 mijë banesa për të mbijetuarit në provincat e prekura.
Dy tërmetet e 6 shkurtit të vitit 2023, me epiqendër në provincën jugore Kahramanmaras, shkaktuan shkatërrime të mëdha në 11 provinca të jugut të Turqisë, duke rezultuar në dhjetëra mijëra viktima dhe dëme të mëdha në infrastrukturë dhe banesa.
Sipas një raporti të Zyrës së Strategjisë dhe Buxhetit të Turqisë, vendi ka shpenzuar gjithsej 3,6 trilionë lira turke (rreth 91,5 miliardë dollarë) gjatë tre viteve të fundit për të kompensuar dëmet pas tërmeteve, veçanërisht në Kahramanmaras dhe Hatay.
