Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Erdogan: Ne i premtojmë kombit tonë Turqinë e madhe dhe të fuqishme

Erdogan: Ne i premtojmë kombit tonë Turqinë e madhe dhe të fuqishme

“I lutem Zotit tim që viti 2022 të jetë i frytshëm për kombin tonë dhe mbarë njerëzimin”, deklaroi kreu i shtetit turk në mesazhin e tij për Vitin e Ri.

Duke rikujtuar se vitin 2021 që përfundon disa orë më vonë, e kaluan nën hijen e pandemisë së koronavirusit sikurse dhe një vit më parë, Erdogani tha se këtë vit, krahas pandemisë, janë përballur gjithashtu me probleme të reja apo të vazhdueshme si fatkeqësitë e shkaktuara nga ndryshimet klimatike, tensionet si pasojë e paqëndrueshmërisë në vende të ndryshme dhe imazhet e dhimbshme për shkak të valëve të pafundme të emigracionit.

Pasi nënvizoi se 2022-shi do të jetë një vit, në të cilin të gjithë qytetarët e Republikës së Turqisë do të arrijnë ditët e sigurta, të paqme, të lumtura dhe të begata që ëndërrojnë, udhëheqësi turk tha: “Po hyjmë në një periudhë, në të cilën ne si komb do të vjelim frytet e përpjekjeve, punëve, shërbimeve dhe sakrificave të mëdha që kemi bërë, por edhe të vuajtjeve që kemi duruar. Këtë fakt do ta shohim shumë më qartë kur të arrijmë në 100-vjetorin e themelimit të republikës sonë.”

Ai potencoi gjithashtu se kanë filluar një transformim historik në ekonomi duke e futur vendin në një proces rritjeje të bazuar në investime, punësim, prodhim, eksport dhe suficit në llogaritë rrjedhëse.

Mes të tjerash, Presidenti Erdogan u shpreh me këto fjalë: “Në vitin 2021 është zbuluar fare qartë se rendi i vendosur nga vendet e zhvilluara nuk mund të mbijetojë në kurriz të dhimbjes, mjerimit dhe kundërshtimit të njerëzimit. Ne i premtojmë kombit tonë objektivat e vitit 2023, përfshirjen e vendin tonë në mesin e 10 ekonomive më të mëdha të botës, Turqinë e madhe dhe të fuqishme, si dhe t’u lëmë trashëgimi brezave të rinj vizionin tonë të vitit 2053. Turqia e re përparon në rrugën e saj pa bërë asnjë lëshim nga vendosmëria për të vetëpërcaktuar të ardhmen e saj mbi bazën e demokracisë dhe zhvillimit të saj të fortë. Para se ta mbyll mesazhin tim, uroj mëshirën e Allahut për të gjithë qytetarët tanë që kanë humbur jetën në vitin 2021 për shkaqe të ndryshme e veçanërisht nga pandemia dhe fatkeqësitë natyrore, si dhe për heronjtë tanë që kanë rënë dëshmorë duke mbrojtur atdheun e tyre. Fëmijëve tanë të lindur këtë vit uroj një jetë të shëndetshme, të lumtur dhe të begatë pranë prindërve dhe njerëzve të tyre të dashur. Më lejoni të shpreh dashurinë dhe respektin tim për të gjithë ju, me lutjen që Viti i Ri të sjellë paqe dhe begati për kombin tonë dhe mbarë njerëzimit. Mbeteshit me shëndet!” /trt

Exit mobile version