Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, dërgoi një mesazh në Samitin e 4-t të Arsimit në Istanbul, i organizuar online nga Fondacioni Turk Maarif, transmeton Anadolu.
Në mesazhin e lexuar të presidentit turk në forumin e organizuar me temë “Arsimi për një shoqëri të barabartë dhe më të drejtë dhe një të ardhme të qëndrueshme”, në të cilin Anadolu është partner global komunikimi, presidenti Erdoğan përmendi faktin që në Turqi aktualisht studimet i ndjekin 338.161 studentë të huaj.
Erdoğan tha se kjo shifër përkon me 10 për qind të kontingjentit total të studentëve dhe se në këtë pikë Turqia renditet në mesin e dhjetë vendeve të para në botë.
“Fondacioni ynë Turk Maarif gjithashtu bën përpjekje intensive për të ofruar njohuri të pasura, të frytshme dhe të rrënjosura të vendit tonë në fushën e arsimit në të gjitha anët e botës. Duke operuar në 55 vende me 446 shkolla, një universitet, 19 qendra arsimore, 11 qendra kërkimore turke dhe 44 konvikte, Fondacioni Turk Maarif ofron shërbime për më shumë se 50 mijë nxënës dhe studentë në total”, ka thënë Erdoğan.
Duke theksuar se fondacioni ka zbatuar me sukses metodat e arsimit ndërkombëtar së bashku me kurrikulën vendase në këto institucione arsimore, Erdoğan vuri në dukje se fondacioni, nga njëra anë shërben për të edukuar njerëz të virtytshëm dhe të kualifikuar dhe nga ana tjetër kontribuon në zhvillimin e komunikimit ndërmjet komuniteteve.
Erdoğan tha se i kanë dhënë mbështetjen e nevojshme fondacionit, punën e të cilit e ndjekin me admirim dhe se janë krenarë për suksesin e tij. Ai theksoi se do të vazhdojnë ta mbështesin fondacionin edhe në të ardhmen.
“Me këtë rast, dëshiroj të përgëzoj me gjithë zemër të gjithë anëtarët tanë të fondacionit që shërbejnë me vetëmohim në 55 vende të ndryshme të botës, nga Kosova në Kolumbi, nga Jordania në Pakistan, nga Afrika e Jugut në Azerbajxhan, nga Afganistani në Somali. Në emër të vendit tim dhe të popullit tim, do të doja të falënderoja çdo mësues, administrator dhe punonjës të fondacionit që me krenari valon flamurin e arsimit të Turqisë duke sfiduar çdo rrethanë apo rrezik”, tha presidenti Erdoğan.