Erdogan: Nuk e di se çfarë do të bëjë Greqia nëse hapim dyert për 5 milionë refugjatë

Presidenti Recep Tayyip Erdogan tha se Greqia është bërë një bazë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA).

Presidenti Erdogan doli në një konferencë të përbashkët për shtyp në Kompleksin Presidencial me Kryeministrin e Hungarisë, Viktor Orban, i cili ndodhet për një vizitë zyrtare në kryeqytetin Ankara.

Duke theksuar se me Orbanin shkëmbyen mendime për çështje ndërkombëtare dhe rajonale, Erdogan tha se synojnë të rrisin tregtinë ndërmjet dy vendeve nga 3 miliardë në 6 miliardë dollarë.

“Në emrin tim dhe kombit tim, do të doja të falënderoja zotin Orban dhe Hungarinë që na japin mbështetjen e nevojshme në çdo kohë, veçanërisht rëndësinë e marrëdhënieve Turqi-Bashkimi Evropian (BE)” tha Erdogan dhe shtoi: “Unë gjithmonë përkujtoj dhe do të vazhdoj të përkujtoj mbështetjen e fortë që ata i kanë dhënë procesit tonë të anëtarësimit. Shpresoj që kontributi i tyre brenda uniteti për kuptimin e pikëpamjeve tona, do të vazhdojë të forcohet.”

Kurse duke reaguar ndaj deklaratave të Kryeministrit të Greqisë, Qirjako Miçotaqi, kreu i qeverisë turke tha: “Është mosmirënjohje të thuash se ‘problemi i refugjatëve buron nga Turqia’, vendi që mirëpret afro 5 milionë refugjatë.

“Nuk e di se çfarë do të bëjë Greqia nëse hapim dyert. Mbi të gjitha, Greqia është vendi që shpon gomonet e refugjatëve në Egje dhe në Mesdhe, duke i lënë ata të braktisur në vdekje. Ne i kemi në dorë të gjitha dokumentet”, tha Erdogan.

Duke iu referuar bazës së ngritur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës në rajonin e Aleksandropolit (Dedeagaç) të Greqisë, Erdogan tha:“Vetë Greqia është bërë tashmë një bazë e Amerikës”.

Edhe Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban deklaroi se BE-ja duhet t’i japë sa më shumë mbështetje Turqisë (për emigracionin). /trt