Erdoğan: Pas tërheqjes së SHBA-së nga Afganistani, Turqia mund të marrë përgjegjësi shumë më të madhe

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve pas vizitave të fundit, u shpreh se vendi i tij mund të marrë përsipër përgjegjësi shumë më të madhe në Afganistan, raporton Anadolu Agency (AA).

“Pas vendimit të SHBA-së për t’u tërhequr nga Afganistani, Turqia mund të marrë përsipër përgjegjësi shumë më të madhe”, tha Erdoğan.

Ai u shpreh se ata që mbështesin dhe inkurajojnë organizatat terroriste herët a vonë do të kuptojnë se po bëjnë një gabim të madh.

“Është një gabim historik të preferoni organizatat terroriste kundër të cilave po lufton aleati juaj, në vend që të jeni pranë aleatit i cili është në shënjestër të terrorizmit”, tha Erdoğan.

Ai theksoi se në samitin e fundit të NATO-s i ka thënë homologut të tij amerikan, presidentit Joe Biden, që nuk duhet të priste që Ankaraja zyrtare të ndryshonte pozicionin e saj në lidhje me çështjen e avionëve F-35 dhe sistemeve raketore S-400.

Erdoğan tha se Rusia ishte “e dobishme” dhe ndihmoi në hapjen e korridorit Zangezur mes Nakhchivan dhe pjesës tjetër të Azerbajxhanit, duke shtuar se “së shpejti” do të takohet me presidentin rus, Vladimir Putin.

Ai komentoi mbi fushatën e vaksinimit kundër koronavirusit të ri (COVID-19) në Turqi.

“Vaksinimi intensiv ka kontribuar në lehtësimin në shumë fusha. Shpresoj se do të kemi vaksinën vendase të prodhuar në shtator apo tetor”, theksoi presidenti turk. /aa