Erdogan: Turqia e gatshme për bashkëpunim të ngushtë me Emiratet e Bashkuara Arabe në hapësirë

Turqia është e gatshme për bashkëpunim të ngushtë me Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA) në të gjitha fushat, veçanërisht në industrinë hapësinore dhe në fushën e teknologjive moderne.

Kështu deklaroi Presidenti Rexhep Tajip Erdoan (Recep Tayyip Erdoğan) në një takim me një grup të rinjsh të Emirateve të Bashkuara Arabe në pavijonin e këtij vendi në World Expo 2020 në Dubai.

Erdogan shprehu besimin se shkëmbimi i përvojës midis agjencive hapësinore do të ishte në interes të Turqisë dhe Emirateve.

Duke theksuar se kanë ndërmarrë hapa të rinj për të forcuar lidhjen dhe bashkëpunimin mes Turqisë dhe rinisë së Emirateve të Bashkuara Arabe (EBA), Erdoan kujtoi se në këtë kontekst në Abu-Dabi u nënshkrua “memorandumi i mirëkuptimit për bashkëpunimin në fushën e rinisë” dhe nënvizoi se një prag i rëndësishëm është kapërcyer në rrugën e të rinjve që realizojnë ëndrrat e tyre.

Jam i bindur se edhe të rinjtë do të bëjnë përpjekjet e nevojshme për të jetësuar frymën e kësaj marrëveshjeje, tha Erdoan dhe shtoi: “Nga ju të rinjtë presim që të veproni si ambasadorë vullnetarë midis Turqisë dhe Emirateve të Bashkuara Arabe (EBA). Si dy vende mike dhe vëllazërore, ne kemi një gamë të gjerë mundësish serioze bashkëpunimi. Unë shoh që ndajmë vizione të ngjashme, veçanërisht në fushën e programeve hapësinore dhe teknologjinë inovative. Vitin e kaluar ne shpallëm Programin tonë Kombëtar të Hapësirës, si produkt i një planifikimi dhe pune afatgjatë. Shpresojmë që në 100-vjetorin e Republikës, pra vitin e ardhshëm, do të bëjmë një ulje të vështirë në Hënë me raketën tonë kombëtare.”

Duke theksuar nevojën për të zhvilluar me shpejtësi projektet e përbashkëta me Emiratet e Bashkuara Arabe në fusha të tilla si: hapësira, teknologjia, kompanitë fillestare [startup] dhe bashkëpunimi shkencor, Erdoan tha:

“Kjo është e vetmja mënyrë për të realizuar ëndrrat dhe objektivat tona. Në sytë tuaj të shndritshëm, unë shoh këtë besim, këtë vendosmëri dhe këtë përpjekje”. /trt