Erdoğan: Turqia në mesin e 10 shteteve të afta të projektojnë, ndërtojnë dhe mirëmbajnë anije luftarake

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, tha se Turqia është në mesin e 10 shteteve në botë me aftësi kombëtare për të projektuar, ndërtuar dhe mirëmbajtur anije luftarake, raporton Anadolu Agency (AA).

Presidenti Erdoğan mori pjesë në ceremoninë e vënies në funksion të anijes “TCG Ufuk”, e cila është një anije testimi dhe trajnimi e ndërtuar në vend. Lëshimi i anijes u bë në kantierin detar të Stambollit.

“Anija e parë e zbulimit e vendit tonë, Ufuk, u ndërtua nëpërmjet aftësive kombëtare inxhinierike”, tha Erdoğan, duke shtuar se Turqia kishte bërë një fillim të mbarë të vitit me përparime të rëndësishme në projektet kritike të industrisë së mbrojtjes.

E ndërtuar nga industria turke e mbrojtjes, TCG Ufuk është një korvetë dhe paraqet asetin më e fundit për forcat e sigurisë së vendit.

Anija mund të lundrojë pa ndalesë për 45 ditë në kushte të rënda klimatike dhe detare, duke përfshirë edhe ujërat ndërkombëtare.

Në fjalimin e tij, presidenti Erdoğan tha se falë blerjeve dhe avancimeve të industrisë së saj të mbrojtjes, Turqia është bërë “një krijues i lojtarave në rajonin e saj dhe një vend që prish lojërat e pista” të aktorëve të tjerë.

Duke theksuar se numri i vendeve që përdorin produkte të industrisë së mbrojtjes të prodhuara në Turqi po rritej çdo vit, Erdoğan tha: “Ne presim që eksportet tona të mbrojtjes dhe aviacionit të kalojnë 4 miliardë dollarë deri në fund të këtij viti”.

Deri kohët e fundit, vendi importonte sisteme të lançimit vertikal, grupi kryesor i armëve të fregatave, por tani ka sisteme të prodhimit vendas, nënvizoi presidenti turk, duke shtuar se deri më tani, vendi ka eksportuar 180 platforma detare në 25 vende.

Erdoğan tha se katër fregata të ndërtuara brenda vendit sipas programit kombëtar të anijeve luftarake të vendit MILGEM, duke përfshirë TCG Istanbul që është aktualisht në ndërtim, do të pajisen me sisteme vertikale të lançimit të raketave të mbrojtjes ajrore vendase.

Ai theksoi gjithashtu se Turqia do të forcojë më tej marinën e saj gjatë dy viteve të ardhshme, duke shtuar se oferta për shkatërruesin e saj TF-2000 do të fillojë së shpejti.

“Ne po vëmë në shërbim anijen tonë amfibe Anadolu, me të cilën mund të kryejmë operacione ajrore me helikopterë dhe dronë që do të vendosim dhe që do të kenë një efekt goditës në fuqinë tonë detare dhe ajrore”, tha ai.

Duke folur për përpjekjet e vendit sa i përket hapësirës, Erdoğan tha: “Sytë tanë janë në hapësirë. Ne vazhdojmë të punojmë në zhvillimin e sistemeve të lançimit dhe sistemeve satelitore në hapësirë”. /aa