Erdogan: Turqia nuk mund të pranojë një propozim zgjerimi që do të minonte sigurinë e NATO-s

Turqia nuk mund të pranojë një propozim zgjerimi që do të minonte sigurinë e vetë NATO-s, deklaroi presidenti turk Recep Tayyip Erdogan, duke iu referuar dyshimeve sipas të cilave Suedia dhe Finlanda mbështesin terrorizmin.

”Zgjerimi i NATO-s do të varet nga respektimi i aleatëve për shqetësimet e sigurisë”, u tha Erdogan anëtarëve të partisë së tij në pushtet, në parlament.

Erdogan tha se Suedia kohët e fundit refuzoi kërkesën e Turqisë për ekstradimin e “30 terroristëve”.

”Terroristët nuk do të na i jepni, por do të kërkoni miratimin tonë për t’u bashkuar me NATO-n”, theksoi presidenti turk.

“NATO është një organizatë sigurie. Prandaj, ne nuk mund të themi ‘po’ për t’i hequr sigurinë kësaj organizate të sigurisë”, shtoi Erdogan. /atsh