Ballina Artikuj Etikat e agjërimit

Etikat e agjërimit

1 – Nxitimi në çeljen e agjërimit:

Është e pëlqyeshme për agjëruesin të nxitojë në çeljen e agjërimit, sapo të perëndojë dielli. Sehl ibn Sa’di transmeton, se Profeti (a.s) ka thënë: “Njerëzit do të jenë gjithmonë me të mirën, për aq kohë sa ata të shpejtojnë në çeljen e iftarit”[1].

Agjërimi duhet të hapet me një numër tek hurmash dhe nëse nuk kemi hurma, atëherë mjafton pak ujë. Enesi transmeton: “I Dërguari i Allahut (a.s) e çelte iftarin me hurma të freskëta, para se të falej. Nëse këto nuk ishin të disponueshme, ai do të hante hurma të thata. Nëse edhe këto nuk ishin të mundshme atëherë ai do të pinte pak ujë”[2]

Sulejman ibn Amr transmeton, se Profeti (a.s) ka thënë: “Nëse dikush prej jush agjëron, ai duhet ta çeli iftarin e tij me hurma. Nëse hurmat nuk janë të disponueshme, atëherë me ujë, pasi uji është pastrues”[3]

Hadithi i mësipërm tregon gjithashtu, se është e pëlqyeshme ta çelësh iftarin, para se të falesh, sipas mënyrës së sipër përmendur. Pas faljes, njeriu mund të vazhdojë të hajë, por nëse vakti i mbrëmjes është gati, mund të fillohet me të. Enesi transmeton, se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Nëse ushqimi është i shtruar, mund të hani para faljes së akshamit dhe mos e hani vaktin me nxitim”[4]

2 – Lutjet kur hapet agjërimi dhe kur agjërojmë:

Abdullah ibn Amr ibnul As tregon se Profeti (a.s) ka thënë: “Ka një lutje e cila nuk kthehet, kjo është për agjëruesin kur çel iftarin”[5].

Kur Abdullahu e çelte iftarin, ai thoshte: “O Allah, kërkoj prej Teje, prej mëshirës Tënde që përfshin gjithçka, më fal mua”.

Eshtë e vërtetuar se Profeti (a.s) thoshte: “Iku etja, u rigjallëruan venat, dhe u arrit shpërblimi i kërkuar inshallah”. Në formën Mursel, transmetohet se ai thoshte: “O Allah, për Ty agjërova dhe me furnizimin Tënd po e çel agjërimin tim”.

Profeti (a.s) ka thënë: “Tre personave nuk u refuzohet lutja: agjëruesit deri në momentin që çel agjërimin, sunduesit të drejtë dhe njeriut të shtypur”.[6]

3 – Shmangia e veprave të pahijshme:

Agjërimi është një lloj adhurimi, që të tërheq më afër Allahut. Allahu e ka urdhëruar atë, të pastrojë shpirtin dhe ta ushtrojë atë për vepra të mira. Agjëruesi duhet të ruhet nga çdo vepër, që mund t’i shkaktojë atij humbjen e dobive të agjërimit. Në këtë mënyrë, agjërimi do të rrisë devotshmërinë ndaj Allahut. Allahu thotë në Kuran: “O ju që besoni, agjërimi është urdhëruar për ju siç u urdhërua edhe për ata para jush, në mënyrë që të bëheni të devotshëm”[7].

Agjërimi nuk është thjesht shmangie prej ushqimit dhe pijes, por gjithashtu shmangie prej çdo gjëje tjetër, që Allahu e ka ndalur. Ebu Hurejra transmeton, se Profeti (a.s) ka thënë: “Agjërimi nuk është përmbajtje vetëm prej të ushqimit dhe pijes, por gjithashtu përmbajtje prej të folurit të kotë dhe fjalëve të pista. Nëse dikush prej jush mallkohet apo e mërzitin, ai duhet të thotë: “Unë agjëroj, unë agjëroj”[8].

Ebu Hurejra po ashtu transmeton, se Profeti (a.s) ka thënë: “Allahu nuk ka nevojë për agjërimin e askujt, në qoftë se ai nuk lë fjalët dhe sjelljet e pahijshme”[9].

Ebu Hurejra transmeton, se Profeti (a.s) ka thënë: “Ndoshta agjëruesi nuk do të marrë asgjë, nga agjërimi tij përveç urisë, po ashtu ndoshta edhe ai që qëndron gjatë gjithë natës për tu falur, nuk do të marrë asgjë përveç qëndrimit pa gjumë”[10].

4 – Të qenit bujar dhe studimi i Kuranit:

Të qenit bujar dhe studimi i Kuranit është i këshillueshëm në çdo kohë, por kjo është veçanërisht e theksuar gjatë muajit të Ramazanit. Ibn Abasi ka thënë: “Profeti (a.s) ishte më bujari i njerëzve, por ai do të ishte edhe më bujar gjatë muajt të Ramazanit, kur takohej me engjëllin Xhibril. Ai do të takohej me të çdo natë dhe i lexonte Kuran. Kur Xhibrili e takonte atë, ai ishte më bujar se era e shpejtë.”[11]

5 – Përpjekja për të kryer sa më shumë vepra adhurimi, që të jetë e mundshme gjatë dhjetë ditëve të fundit të Ramazanit:

Aishja tregon se gjatë dhjetë ditëve të fundit të Ramazanit, i Dërguari i Allahut (a.s) do të zgjonte gratë e tij gjatë natës dhe pastaj do të qëndronte veçmas tyre (kjo do të thotë se ishte i zënë me kryerjen e adhurimit).”[12] Në një version tjetër, thuhet se: “Ai përpiqej (të bënte vepra adhurimi) gjatë dhjetë ditëve të fundit të Ramazanit më shumë seç kryente ndonjë herë tjetër”[13]

By: ardhmëriaonline.com

[1] – Buhariu dhe Muslimi.

[2] – Ebu Daudi. Hadithi është Sahih.

[3] – Tirmidhiu dhe Ahmedi. Hadithi është Sahih.

[4] – Buhariu dhe Muslimi.

[5] – Ibn Maxheh.

[6] – Tirmidhiu. Hadithi është Hasen.

[7] – Sure Bekare: 183.

[8] – Ibn Huzejme, Ibn Hibani dhe Hakimi. Hadithi është Sahih sipas kritereve të imam Muslimit.

[9] – Buhariu.

[10] – Nesaiu, Ibn Maxheh dhe Hakimi. Hadithi është Sahih sipas kritereve të imam Muslimit.

[11] – Buhariu.

[12] – Buhariu.

[13] – Muslimi.

Exit mobile version