Ballina Autorë Opinione Europa, shqiptarët dhe paqja e rrezikuar

Europa, shqiptarët dhe paqja e rrezikuar

Salajdin Salhu

Shqiptarëve sot u duhen aleatë. Historia është treguar e pamëshirshme me popujt e vegjël pa aleatë të fuqishëm. Pas shpërbërjes së Perandorisë Osmane, territoret shqiptare u copëtuan dhe u shndërruan në kasaphane nga ushtritë e shteteve ballkanike të përkrahura nga Rusia. Madje, shqiptarët rrezikuan të mbeteshin pa shtetin e tyre. Gjatë historisë, ndodhi që shqiptarët të zgjidhnin edhe aleatë të gabuar. I dimë pasojat nga aleanca e Shqipërisë me Rusinë dhe Kinën.

Salajdin SALIHU, Tetovë

Para luftës në Ukrainë, shumë liderë besonin se ishte e garantuar paqja e përjetshme në Europë, prandaj nuk e parashikuan gjendjen e sotme. Tani elitat politike europiane thonë se paqja mund të mbrohet vetëm duke u përgatitur për luftë. Sipas analistit Ivan Krastev, “europianët sot janë shumë pesimistë, sepse më parë ishin shumë optimistë”.

Sot, pllakat gjeopolitike dhe gjeostrategjike botërore janë tronditur. Jetojmë në kohë të trazuar. Lufta në Ukrainë i ka rrëzuar iluzionet se në Europë nuk mund të ketë më luftë të madhe. Kjo luftë e hapi kutinë e Pandorës. Derisa e keqja ka dalë nga kutia dhe sillet nëpër botë, liderët europianë shpesh e parashtrojnë pyetjen: Si do të dukej Europa nëse luftën e fiton Rusia?

Udhëheqës, diplomatë, ushtarakë dhe ekspertë të informuar thonë se nëse lufta fitohet nga Rusia, atëherë siguria e Europës do të vihej në rrezik. Do të forcohej neoimperializmi rus. Rusia, duke i shfrytëzuar resurset e Ukrainës së pushtuar, do t’i kontrollonte më shumë lëvizjet tregtare dhe një pjesë të madhe së eksporteve botërore të grurit. Mund të kishte tronditje brenda skenës politike europiane. Do të rritej mosbesimi ndaj BE-së dhe NATO-s. Do të forcohej ekstremi i djathtë në Europë. Do të thelloheshin ndasitë mes shteteve europiane. Kjo gjendje do t’i inkurajonte liderët autoritarë të ndërmarrin veprime të ngjashme si Rusia.

A mund të arrihet marrëveshje e paqes ndërmjet Rusisë dhe Ukrainës?

Analistët mendojnë se para përfundimit të zgjedhjeve në SHBA dhe Europë, kjo duket e pamundur. Putini do të kalkulojë, pa qenë i interesuar për zgjidhje paqësore. Ai është përgatitur gjatë kohë për këtë luftë dhe i ka parasysh të gjithë skenarët.

Sipas një analize të Financial Times-it, një disfatë eventuale e Ukrainës do të shoqërohej me marrëveshje paqeje të diktuar nga Rusia. Në këtë rast, sipas ish zyrtarit të lartë të NATO-s, George Robertson, armiqtë e Europës do ta vendosin rendin botëror.

Ukraina dhe qëndrimi europian

Liderët europianë sot flasin për skenarë të frikshëm për të ardhmen e Europës dhe frikësohen nga krijimi i vatrave të reja të krizave, veçanërisht në Europën Juglindore, ku Rusia ka shumë ndikim.

Kryediplomati i BE-së, Josep Borrell, tha se “Rusia tani është kërcënim për kontinentin”; se “një luftë konvencionale me intensitet të lartë në Europë më nuk është fantazi”; se “Europa kolektive duhet të jetë e përgjegjshme”, sepse “ombrella e SHBA-së, ku mbështetet Europa që nga Lufta e Ftohtë, mund të mos jetë e hapur gjatë gjithë kohës”.

Kryetari i Komitetit Ushtarak të NATO-s, Rob Bauer, tha se europianët duhej të përgatiteshin për luftë. Madje, bëri një paralajmërim të frikshëm.

“Duhet të keni ujë në shtëpinë tuaj, një radio dhe një elektrik dore me bateri. Për të mbijetuar 36 orët e para”, tha ai.

Frika e një lufte me Rusinë i ka shtyrë liderët e shteteve europiane të punojnë për forcimin e mbrojtjes ushtarake dhe rritjen e shpenzimeve për mbrojtje dhe siguri.

Të përgatitur apo të përgjumur

Deri tani kanë munguar elitat vizionare që e përgatitin kombin për t’u mbrojtur sikur nesër do të ketë luftë, pa pritur ndihmë nga të tjerët.

Historia ka dëshmuar se në kohë krizash të mëdha secili mendon për veten. Kjo u dëshmua edhe gjatë pandemisë së COVID-19. Deri atëherë shpresohej se në kohë emergjence secili do ta ndihmonte secilin, por ndodhi që secili ta mbronte veten, pa menduar për të tjerët. Kur shtetet nuk përgatiten për raste emergjence, atëherë i nënshtrohen fatit. Por, fati është i pamëshirshëm ndaj të papërgatiturve.

Sot, për shkak të rrethanave të krijuara, elitat politike europiane duan më shumë aleatë, veçanërisht kur në botë krijohet një bllok kundërshtar. Kjo rrethanë mund të shfrytëzohet nga shtetet e Europës Juglindore për të qenë më afër dyerve të BE-së. Por, më parë duhet t’i kryejnë obligimet e tyre dhe të punojnë për këtë qëllim.

Shqiptarët dhe aleatët

Shqiptarëve sot u duhen aleatë. Historia është treguar e pamëshirshme me popujt e vegjël pa aleatë të fuqishëm. Pas shpërbërjes së Perandorisë Osmane, territoret shqiptare u copëtuan dhe u shndërruan në kasaphane nga ushtritë e shteteve ballkanike të përkrahura nga Rusia. Madje, shqiptarët rrezikuan të mbeteshin pa shtetin e tyre. Gjatë historisë, ndodhi që shqiptarët të zgjidhnin edhe aleatë të gabuar. I dimë pasojat nga aleanca e Shqipërisë me Rusinë dhe Kinën.

Në jetën e kombeve, siç thuhet, nuk ka miqësi të përhershme, por interesa të përhershme. Kombet me elita të mençura i përcaktojnë prioritetet e tyre, krijojnë strategji kombëtare afatgjate në përputhje me rrethanat globale dhe i parashikojnë situatat e emergjencës.

Sot shqiptarët kanë bërë zgjedhjen e duhur. Ata janë në anën e NATO-s dhe BE-së. Në këtë botë të trazuar duhet të punojnë me mençuri, që të bëhen partnerë të rëndësishëm dhe jo të mbeten vetëm figurantë në skenën e madhe globale. Nga ata sot kërkohet mençuri, syçeltësi, angazhim dhe përgjegjësi e madhe dhe jo veprime të pamenduara. /revistashenja

Exit mobile version