Familjet e zhvendosura të Gazës luftojnë për mbijetesë pasi enklava kaplohet nga stuhitë

Bashkia e Gazës ka raportuar se stuhia e vazhdueshme që goditi Rripin e Gazës ka shkaktuar dëme të rënda në tendat që strehojnë familjet e zhvendosura palestineze duke përkeqësuar vuajtjet e tyre.

Duke folur për Anadolu, zëdhënësi i Bashkisë së Gazës, Hosni Mahna, tha se shirat e dendur dhe erërat e forta kanë përfshirë strehimoret dhe kampet e improvizuara dhe si pasojë dhjetëra tenda kanë fluturuar larg dhe shumë të tjera janë përmbytur.

“Qyteti Gaza kërkon urgjentisht 120 mijë tenda ose njësi të përshtatshme banimi”, bëri thirrje Mahna.

Ai shtoi se pavarësisht kushteve sfiduese në Gaza, ekipet e bashkisë po monitorojnë nga afër situatën.

Megjithatë, ai theksoi se burimet pothuajse inekzistente, për shkak të shkatërrimit të gjerë të infrastrukturës nga sulmet e vazhdueshme izraelite, e bëjnë tepër të vështirë përgjigjen ndaj nevojave të të zhvendosurve.

“Ajo që ne po dëshmojmë sot është një fatkeqësi e vërtetë humanitare. Familjet që kanë humbur shtëpitë e tyre po jetojnë në kushte tragjike pa zgjidhje reale për t’i mbrojtur ata nga i ftohti i ashpër i dimrit”, tha Mahna.

Ai u bëri thirrje organizatave ndërkombëtare dhe humanitare që të ndërmarrin “veprime të menjëhershme për të shpëtuar mijëra familje që durojnë vështirësi të paprecedentë”.

Sipas autoriteteve lokale, Moti i stuhishëm shkatërroi Gazën ditëve të fundit, duke grisur dhjetëra tenda për civilët e zhvendosur.

Më 19 janar, një armëpushim hyri në fuqi në Gaza, duke ndalur luftën gjenocidale të Izraelit që ka vrarë të paktën 47.500 palestinezë dhe e ka lënë enklavën në gërmadha.