Kharg, pika strategjike ku po luhet fati i ekonomisë së Iranit dhe ekuilibri i fuqive botërore
Në mesin e tensioneve të larta gjeopolitike që po përfshijnë Gjirin Persik, ishulli Kharg është shndërruar në pikën më kritike të strategjisë ushtarake dhe ekonomike.
Ky territor i vogël shërben si “mushkëria” e vërtetë e Iranit, pasi prej andej rrjedh rreth 90 për qind e naftës bruto që vendi eksporton drejt tregjeve ndërkombëtare, me një fokus të veçantë drejt Kinës.
Pavarësisht rëndësisë së tij jetike, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Izraeli e kanë hmangur deri më tani këtë infrastrukturë, duke ngritur pikëpyetje nëse kjo mospërfshirje është pjesë e një strategjie mashtrimi për të nxitur kundërshtarin drejt gabimit apo një pritje e llogaritur për një fazë të mëvonshme të konfliktit.
Rëndësia e ishullit Kharg lidhet ngushtë me gjeografinë e Gjirit, ku ujërat e cekëta kufizojnë lëvizjen e anijeve të mëdha, duke e bërë këtë ishull një nga pikat e pakta ku super-tankerët mund të ankorohen dhe të ngarkohen me lehtësi.
Ky pozicion strategjik ka qenë prej kohësh në shënjestrën e Uashingtonit, që nga koha e administratës së Jimmy Carter në vitin 1979, kur u shqyrtua për herë të parë mundësia e një ndërhyrjeje për marrjen e kontrollit të tij.
Sot, ky plan të sjell ndërmend operacionet amerikane në Venezuelë, ku Pentagoni përdori kontrollin e burimeve energjitike si mjet presioni, megjithëse në rastin e Kharg-ut, një sulm i tillë mbart rreziqe shumë më të mëdha globale.
Në këtë ekuacion kompleks, qëndrimet e Donald Trumpit mbeten të dyzuara. Ndërsa ai ka përjashtuar publikisht dërgimin e trupave në terren për momentin, lëvizjet e Divizionit të Tetëdhjetë e Dytë Ajror, i cili anuloi papritur stërvitjet rutinë për të qëndruar në gatishmëri të lartë, sugjerojnë se opsionet ushtarake mbeten në tryezë.
Megjithatë, Shtëpia e Bardhë duhet të llogarisë koston e madhe politike të përfshirjes në një mision të gjatë tokësor, të cilin elektorati amerikan nuk e mirëpret, si dhe rrezikun e një hakmarrjeje iraniane mbi impiantet e Arabisë Saudite.
Teherani ka dërguar një mesazh të qartë se nëse eksportet e tyre bllokohen, ata do të bëjnë çmos që të paralizojnë furnizimin global me naftë. Ndërkohë, punëtorët në Kharg vazhdojnë prodhimin me ritme të larta, duke treguar se ky ishull mbetet vija e kuqe që përcakton fatin e ekonomisë iraniane dhe ekuilibrat e fuqive të mëdha. /tesheshi
