Ballina Artikuj Fatkeqsitë natyrore- sprovë apo dënim?!

Fatkeqsitë natyrore- sprovë apo dënim?!

Korab Hajraj

Popuj të ndryshëm kanë prirje që fenomeneve natyrore, të cilat ndodhin rreth tyre, t’u japin një shkas, ashtu si edhe ne në vendin tonë. Kështu kishte ndodhur edhe në kohën e Pejgamberit a.s., me rastin e zënies së diellit, që koincidoj pikërisht me ditën që vdiq Ibrahimi (i biri i Pejgamberit a.s.), me ç’rast njerëzit thanë: “u zu dielli për shkak të vdekjes së Ibrahimit”. I Dërguari i Allahut a.s. tha: “Eklipsi i diellit dhe i hënës nuk ndodh për shkak të vdekjes së ndokujt, dhe as për shkak të ardhjes në jetë të ndokujt”. Pra ishte Pejgamberi a.s. ai i cili i ndali tendencat që fenomeneve natyrore gjithsesi duhet t’u gjejmë shkakun e lidhur me ngjarjet dhe gjendjet njerëzore.
Ngjashëm me këtë njerëzit (nga ta ka edhe besimtarë) kanë prirje që edhe termetet, vershimet, zjarret etj. t’i ndërlidhin me gjendjet tona morale dhe sjelljet e përdishme, dhe mendojnë se këto patjetër janë dënim prej Zotit, si pasojë e mëkateve.
Zoti në Kuranin famëlartë thotë: “Ne do tju sprovojme me ndonjë frikë, me uri, me ndonjë humbje nga pasuria e jeta, dhe nga frytet, por ti përgezoji durimtarët!” (2:155)
Të gjitha këto kategori sprovash që i ka përmendur Allahu xh.sh. në ajetin kuranor janë pasoja të cilat i lë pas edhe termeti dhe fatkeqsitë tjera natyrore, duke përfshirë, pra: frikën, urinë, shkatërrimin e pasurisë, humbjen e jetërave dhe të mirave materiale, dhe nga këtu nënkuptojmë se këto fatkeqësi natyrore, bashkë me pasojat e tyre, parasëgjithash janë sprovë, e jo detyrimisht ndëshkim.
Pejgamberi a.s. ka thënë: ”Njerëzit më të sprovuar në këtë botë janë pejgamberët, pastaj ata që vijnë pas tyre në shkallët e besimit”. Sikur të ishin sprovat ndëshkime atëher kjo i bie që pejgamberët ishin njerëzit më gjynahqar.
Pastaj ajeti: “A menduan njerëzit të thonë: “Ne kemi besuar”, e të mos vihen në sprovë?!” (29:2)
Ajeti në fjalë na tregon qartë se natyra e jetës në këtë botë është sprovimi, për shkaka se ato nxjerrin në pah anën më të mirë njerzore. Gjithashtu sprovat janë momente reflektimi dhe kthimi te Zoti. Mirëpo një gjë duhet të kihet parasysh, se të gjitha fatkeqësitë natyrore si: termetet, zjarret, vërshimet, acaret, furtunat etj. ndodhin me dijen e Zotit të Lartësuar, Atij nuk i mbetet asgjë jashtë kontrollit dhe dijes, siç thotë në Kuran: ”Nuk ndodh që asnjë gjethe të bie në tokë, përveqse Ai (Allahu) e din atë”. (6:59)
Në objektivat e sprovave janë fillimisht ata të cilet goditen direkt nga to, duke u dëshmuar se sa janë të durueshem, në ç’masë arrijnë t’i kthehen Zotit dhe sa reflektojnë pozitivisht në jetën në vazhdim nga ajo që u ndodhë, si dhe shumë objektiva të tjera të cilat Allahu i di më mirë.
Gjithashtu këto fatkeqësi janë sprovë edhe për ata të cilet nuk preken direkt, për t’u dëshmuar se sa po reflektojnë, sa do të jenë solidar me ata që kanë pësuar, dhe se sa po i kthehen Zotit të tyre.
Pejgamberi a.s. ka thënë: “Zoti m’i ka dhënë disa veçori të cilat nuk ua ka dhënë pejgamberëve para meje. Njëra (ndër to) është se Zoti nuk e dënon umetin tim në mënyrë kolektive.”
Nëse mendojmë se këto janë ndeshkime për ne, dhe janë si rezultat i gjynaheve tona, atëhere kemi menduar gabim, pasi që aty përfshihen gjunahqarët dhe të pafajshmit (si p.sh. femijët etj.)
Kete na e ka sqaruar Allahu në Kuran kur thotë: “… Askush nuk e bartë barrën e tjetrit.” (53:38). Pra, askush nuk do të dënohet për gjynahet që i ka bërë tjetri, qoftë madje gjynahqari edhe i afërm apo i largët i tij.
Njëra nga cilësitë e Zotit është “El-Adl”, I Drejti, që d.m.th. se Zoti nuk na dënon për gabimet e të tjerëve. Ai, Allahu, nuk bënë padrejtësi, se ndyrshe nuk do ishte “I Drejti”.
Allahu xh.sh. në Kuran thotë: “Dhe Zoti yt nuk i bën të padrejtë askujt” (18:49).
Disa predikues fetar, me ose pa vetëdije, tentojnë që fatkeqësitë natyrore t’i paraqesin si ndëshkim nga ana e Zotit, dhe këtë e bëjnë me qëllimin më të mirë, që përmes kujtimit të frikës, t’i ofrojnë drejtë Zotit, mirëpo kjo qasje, përkundër qëllimit të mirë që synohet me të bartë me vete rrezikun e mbjelljes së mendimit të gabuar ndaj Zotit, si i padrejtë ndaj robërve të  Vet (Allahu na ruajtë!) dhe me të edhe largimin prej Tij. Këtë duhet pasur parasysh edhe nga parimi esencial i Islamit, që është se: qëllimi nuk e arsyeton mjetin. Të menduarit keq për Zotin është mëkat edhe më i madh sesa çdo mëkat tjetër.
“… Për gjërat që nuk i dini, pyetni ata që dinë!” (16:43)

Nga: Korab Hajraj
Dhjetor 2019

Exit mobile version