Fermerët në Spanjë vendosin të protestojnë për shkak të rritjes së kostove të prodhimit

Fermerët në Spanjë njoftuan se kanë vendosur që të protestojnë në mbarë vendin, duke deklaruar se për shkak të rritjes kostos së prodhimit dhe fitimit të ulët, kanë probleme për jetesën dhe nuk mund të vazhdojnë më tej në këtë mënyrë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Tre sindikatat kryesore (Asaja, COAG, UPA) të sektorëve të bujqësisë dhe blegtorisë në një deklaratë të përbashkët njoftuan se që nga java e ardhshme do të zhvillojnë protesta, demonstrata dhe grevë në të gjithë vendin.

Sindikatat theksuan se çmimet në krahasim me një vit më parë kanë shënuar rritje, përkatësisht me 30 për qind ushqimi, 48 për qind plehu, 33 për qind ujitja dhe 20 për qind farërat. “Kështu nuk ka ndodhur kurrë”, theksuan fermerët duke vënë në dukje se në krahasim me vitin 2020 është rritur 270 për qind edhe çmimi i energjisë elektrike dhe 73 për qind i naftës.

Në anën tjetër edhe prodhuesit e qumështit kanë njoftuar se qumështin që ka kosto 40 cent për litër e kanë shitur me 33 cent dhe se humbja e tyre ditore prej 300 euro ka arritur në nivel të patolerueshëm.

Theksohet se disa protesta të fermerëve do të përkojnë më 20-22 dhjetor në periudhën kur do të shkojnë në grevë edhe shoferët e kamionëve në vend. /aa