Shumë prej të mësimeve fetare sot janë reduktuar nga vetë besimtarët në një funksion kryesisht mbrojtës. Në vend që besimtarët të zhvillohen përmes tyre dhe të prodhojnë realitete të reja në shoqëri, ato shpesh përdoren vetëm për t’u mbrojtur nga kritikat apo sfidat e jashtme. Kjo qasje e ka zbehur vitalitetin e fesë dhe ia ka dobësuar pikërisht dimensionin më të gjallë të saj: aftësinë për të dhënë jetë dhe për të gjeneruar zhvillim.
Këtë dimension jetësor e thekson vetë Kur’ani kur thotë: “O besimtarë! Bindjuni Allahut dhe të Dërguarit kur ju thërret drejt asaj që ju jep jetë…”(Kur’an, El-Enfal 8:24)
Pra, thirrja hyjnore nuk është vetëm një thirrje për ruajtje apo mbrojtje, por një thirrje drejt një jete më të plotë dhe më të zhvilluar.
Natyrisht, mbrojtja e fesë dhe e qasjeve fetare është e nevojshme. Megjithatë, forma më e mirë e mbrojtjes nuk është mbrojtja pasive, por zhvillimi përmes tyre. Kur parimet fetare shpalosen në veprim konkret dhe prodhojnë rezultate të dukshme në jetën individuale dhe shoqërore, ato mbrohen në mënyrën më të fuqishme të mundshme.
Një shembull i qartë është çështja e zekatit. Është një gjë të thuhet thjesht se zekati duhet dhënë si një detyrim fetar. Por është diçka krejt tjetër të paraqitet metodologjia hyjnore e sistemit të zekatit: mënyra se si ai organizon solidaritetin social dhe zhvillon kategori të caktuara brenda shoqërisë. Kur kjo metodologji analizohet dhe zbatohet realisht, bëhet e dukshme se zekati nuk është vetëm një akt individual adhurimi, por edhe një mekanizëm zhvillimi shoqëror.
E njëjta qasje duhet të zbatohet edhe për urdhëresat dhe ndalesat e tjera fetare. Secila prej tyre përmban një dimension etik, social dhe civilizues që duhet studiuar, shpjeguar dhe shfaqur në praktikë.
Në të kundërt, nëse komuniteti fetar kufizohet vetëm në mbrojtjen retorike të parimeve pa i shndërruar ato në realitet të gjallë shoqëror, ekziston rreziku që ai të bëhet vetë shkak për keqkuptimin e fesë nga të tjerët. Pikërisht për këtë arsye Kur’ani na përcjell edhe lutjen e profetit Ibrahim (a.s.):
“Zoti ynë, mos na bëj sprovë për ata që nuk besuan dhe falna, Zoti ynë. Vërtet, Ti je i Plotfuqishmi, i Urti.” (Kur’an, El-Mumtehine 60:5)
Kjo lutje përmban një paralajmërim të thellë: besimtarët nuk duhet të bëhen shkak që të tjerët të largohen nga e vërteta për shkak të dobësisë së tyre në përfaqësimin e saj.
Prandaj, sfida kryesore e mendimit dhe veprimit fetar sot nuk është vetëm mbrojtja e parimeve, por ringjallja e dimensionit të tyre jetësor, duke i kthyer ato në burim zhvillimi real për individin dhe shoqërinë.
Hoxhë Vladimir Kera
