Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Financial Times: Şahin dhe Türeci, pronarë të BioNTech shpallen persona të vitit

Financial Times: Şahin dhe Türeci, pronarë të BioNTech shpallen persona të vitit

Financial Times (FT) i ka shpallur “Persona të Vitit” themeluesit e kompanisë farmaceutike BioNTech, dr. Uğur Şahin dhe bashkëshorten e tij dr. Özlem Türeci, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Çifti ka arritur një sukses të jashtëzakonshëm shkencor dhe komercial duke zhvilluar vaksinën kundër COVID-19 në më pak se një vit”, raportoi Financial Times.

Me zhvillimin e kandidatit të parë për vaksinën efektive kundër koronavirusit, dy shkencëtarë turko-gjermanë që arritën këtë sukses të madh tërhoqën vëmendjen e të gjithë botës.

Fakti që ata ishin në gjendje të krijonin një vaksinë të sigurt dhe efektive në më pak se një vit tregoi suksesin e çiftit.

“Si krijues të vaksinës së parë të miratuar nga dy organet rregullatore më të besuara në botë, çmimi i FT-së iu dha dr. Şahin dhe dr. Türeci. Ata janë simbol i historisë së suksesit shkencor dhe komercial”, raportoi Financial Times.

Şahin dhe Türeci janë fëmijë emigrantë nga Turqia që migruan në Gjermani në vitin 1960.

Şahin, i cili lindi në Iskenderun, Turqi në 1965, mbërriti në Gjermani si 4-vjeçar, ku babai i tij punonte në një fabrikë makinash. Ai studioi mjekësinë në Universitetin e Këllnit dhe punoi në Qendrën Mjekësore të Universitetit Saarland për disa vjet.

Türeci është vajza e një mjeku turk i cili emigroi në Gjermani nga Stambolli. Ajo studioi mjekësi në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit Saarland dhe bëri hapat pionierë në fushën e imunoterapisë së kancerit në Gjermani.

Çifti themeloi BioNTech për të zhvilluar teknologji për imunoterapitë e individualizuara të kancerit.

Menjëherë pas shfaqjes së koronavirusit në Wuhan, Kinë, Şahin dhe Türeci vendosën të përdorin njohuritë e tyre të teknologjisë “messenger RNA” (mRNA) për të rritur imunitetin dhe për të parandaluar infeksionet e COVID-19 si pjesë e një projekti që ata e quajtën “Project Lightspeed”.

Nga mesi i muajit janar, kompania arriti partneritet me gjigantin farmaceutik Pfizer për të zhvilluar një vaksinë të mundshme kundër COVID-19.

Exit mobile version