Finlanda dhe Suedia kanë propozuar sanksione të reja dhe më të rrepta ekonomike kundër Rusisë, duke përfshirë taksa më të gjera importi dhe kufizime eksporti, transmeton Anadolu.
Transmetuesi publik finlandez YLE raportoi se propozimet u paraqitën nga ministret e jashtme të të dy vendeve gjatë një paraqitjeje të përbashkët në një konferencë sigurie në Suedi të hënën.
“Ne besojmë se kërcënimi rus është afatgjatë. Kjo do të thotë që ne duhet të vazhdojmë presionin pavarësisht nga një armëpushim i mundshëm ose një marrëveshje paqeje”, u tha gazetarëve në Salen ministrja e Jashtme finlandeze, Elina Valtonen.
Sipas saj, Finlanda dhe Suedia kanë propozuar rritjen e taksave doganore për të gjitha produktet dhe shërbimet e importuara nga Rusia, si dhe futjen e kufizimeve të reja të eksportit, duke përfshirë artikujt luksozë.
Ministrja e jashtme suedeze, Maria Malmer Stenergard, tha se aftësia e Rusisë për të vazhduar luftën në Ukrainë varet shumë nga të ardhurat e saj nga energjia. “Prandaj, ne po propozojmë një ndalim të plotë të anijeve që transportojnë naftë, gaz ose qymyr nga portet ruse në portet e BE-së”, shtoi ajo.
Sipas Stenergard, një ndalim i BE-së për importin e plehrave nga Rusia mund të shkaktojë një “dëm prej 1,4 miliardë eurosh (mbi 1,6 miliardë dollarë)” në ekonominë ruse dhe tha se qëllimi është që propozimet të përfshihen në paketën e ardhshme të sanksioneve të BE-së.
Të dy ministret theksuan sipas YLE-së, nevojën që BE-ja të reduktojë varësinë e saj nga Rusia, duke sugjeruar që plehrat rusë mund të zëvendësohen përmes prodhimit vendas dhe rritjes së importeve nga vendet e tjera.
Vërejtjet erdhën gjatë konferencës treditore të sigurisë Rikskonferensen, e cila bashkon udhëheqës politikë, ekspertë dhe pjesëmarrës ndërkombëtarë për të diskutuar çështje të politikës së sigurisë.
