Formacioni i mundshëm i Kosovës për ndeshjen ndaj Qipros – Giresse pa shumë befasi

Përfaqësuesja e Kosovës është gati për ndeshjen e parë të edicionit të tretë të Ligës së Kombeve, ku do të ballafaqohet me Qipron në udhëtim.

Dardanët janë shortuar në grup me kombëtare të njohura si Irlanda e Veriut dhe Greqia, teksa në grup me ta gjendet edhe Qipro.

Ndeshje e parë e Kosovës në Grupin 2 të Ligës C në Ligën e Kombeve është pikërisht ndaj Qipros në udhëtim dhe fillon nga ora 18:00.

Ekipi i Alain Giresse është tashmë gati për këtë ndeshje, edhe pse ka disa mungesa të theksuara, sidomos në mbrojtje.

Megjithatë, përzgjedhësi francez ka ndarë tashmë mendjen dhe ka ideuar formacionin për përballjen ndaj Qipros.

Sipas burimeve të Telegrafit, Giresse do të paraqitet edhe në këtë ndeshje me rreshtimin e tij të preferuar 4-3-3.

Në portë vendi është i sigurt për Arijanet Muric, ndërsa në mbrojtje nga krahët do të luajnë Benjamin Kololli dhe Fidan Aliti, ndërsa në qendër kapiteni Amir Rrahmani dhe Mirlind Kryeziu.

Balotazhi i vetëm thuhet se është në krahun e djathtë, ku Lirim Kastrati mund t’ia zë vendin Kolollit.

Në mesfushë, Giresse pritet t’ia besoj vendin e titullarit emrave si Ibrahim Dresevic dhe Betim Fazliji në anën defensive, ndërsa për pjesën kreative do të përkujdeset Valon Berisha.

Sulmi pritet të përbehet nga Edon Zhegrova, Vedat Muriqi dhe Milot Rashica, pasi Arbër Zeneli nuk është ende në formën e tij më të mirë pas lëndimit afatgjatë.

Formacioni i mundshëm i Kosovës: Muric; Kololli, Rrahmani, Kryeziu, Aliti; Dresevic, Fazliji, Berisha; Zhegrova, Muriqi, Rashica;