Hetuesit francezë kanë hapur një hetim penal ndaj TikTok për akuza se platforma e videove lejon përmbajtje që promovon vetëvrasjen dhe se algoritmet e saj mund të nxisin të rinjtë të marrin vendime ekstreme.
Ky njoftim vjen pas një padie kundër TikTok nga disa familje franceze, një hetimi parlamentar francez mbi ndikimin psikologjik të Tik-Tok tek fëmijët, si dhe raporte që detajojnë çështje të ngjashme, të publikuara nga Amnesty International dhe Senati Francez.
Zyra e prokurorit në Paris tha në një deklaratë se hetimi do të shqyrtojë “përmbajtje që konsiston veçanërisht në promovimin e vetëvrasjes” si dhe nëse Tik-Tok ka respektuar detyrimet për të njoftuar autoritetet për shkeljet e kryera nga ndërmjetësit.
Në një deklaratë të dhënë të martën, Tik-Tok hodhi poshtë akuzat e raportit parlamentar që ndihmuan në hapjen e hetimit.
Departamenti për krimet kibernetike e policisë së Parisit do të hetojë krime të mundshme, përfshirë “propagandën për produkte ose metoda të përdorura për të marrë jetën e dikujt”, si dhe lehtësimin e transaksioneve të paligjshme të lidhura me krimin e organizuar, tha zyra e prokurorit.
Nëse hetimi çon në akuza dhe dënime, ata që shpallen fajtorë mund të përballen me disa vite burg dhe gjoba.
Vitin e kaluar, shtatë familje paditën Tik-Tok France, duke akuzuar platformën se nuk ka moderuar përmbajtje të dëmshme dhe se ka ekspozuar fëmijët ndaj materialeve që rrezikojnë jetën. Nga këto shtatë familje, dy përjetuan humbjen e një fëmije.
Tik-Tok dhe platformat e tjera të mediave sociale gjithashtu kanë qenë nën vëzhgim global për shkak të pretendimeve se nxisin dhunë dhe ngacmime, veçanërisht tek fëmijët.
