Si rezultat i kontrolleve të kryera që nga nëntori 2020 e deri më tani në 89 xhami në Francë, janë mbyllur një e treta e tyre, transmeton Anadolu Agency (AA).
Ministri i Brendshëm francez, Gerald Darmanin, në një intervistë për gazetën “Le Figaro” tha se para hyrjes në fuqi të ligjit “separatist” në Francë u mbyllën 650 vende ku ndodheshin “ekstremistët” dhe se 24 mijë vende u kontrolluan nga policia.
Si rezultat i kontrolleve të kryera në 89 xhami që nga nëntori 2020 e deri më tani janë mbyllur një e treta e tyre me pretendimin se “janë radikalizuar”, deklaroi Darmanin, i cili shtoi se kanë filluar procedurat për mbylljen edhe të 6 xhamive në rajonet Meurthe-et-Moselle, Cote-d’Or, Rhone dhe Gard.
Ai theksoi se janë kundër ndërtimit të xhamisë “Eyüp Sultan” të lidhur me Bashkësinë Islame Vizioni Kombëtar (IGMG) në qytetin Strasburg pavarësisht se kjo është lejuar nga bashkia.
Duke ndarë informacionin se deri më sot janë mbyllur 5 shoqata që u përkasin muslimanëve dhe që pretendohet se janë në vijën e “islamit politik”, ministri Darmanin vuri në dukje se ligji “separatist” u lejon atyre të bëjnë më shumë dhe se në vend do të mbyllen edhe 10 shoqata, 4 prej të cilave në muajin tetor.
Më tej Darmanin ndau informacionin se me pretendimin që janë “separatiste” janë konfiskuar llogaritë bankare të 205 shoqatave dhe se janë dëbuar 2 imamë.
“Ne po përhapim terrorin tek ata që duan të na imponojnë terrorin”, tha Darmanin duke shtuar se që nga viti 2023 në vend nuk do të mund të vijnë punonjës fetarë dhe se prefekturave u ka dhënë udhëzim të mos rinovojnë lejet e qëndrimit për ata që janë këtu.
Ministri francez bëri me dije se nuk pranojnë rinovimin e lejeve të qëndrimit për personat që janë dënuar në vend për arsye si trafikim të drogës dhe dhunës brenda familjes.
Ai shtoi se kanë vendosur kufizime në nivel serioz për numrin e vizave të lëshuara për shtetasit algjerianë, tunizianë dhe marokenë, Darmanin vuri në dukje se këto vende kanë ndjekur këtë rrugë për të siguruar ripranimin e personave që Franca ka dëbuar.
Franca me ligjin “separatist” që ka hyrë në fuqi në muajin gusht kritikohet me arsyen se ndërhyn në jetën e muslimanëve.
Ndër çështjet kryesore të trajtuara nga ligji janë paanshmëria në shërbimin publik dhe pajtueshmëria me vlerat dhe parimet republikane, poligamia dhe martesa e detyruar, kufizimi i arsimit në distancë, rishikimi i situatës së shkollave private dhe kontrollueshmëria e shoqatave edhe në aspektin e veprimtarive edhe në atë financiar. /aa