Ftuesi nuk mund të shkëputet nga ftesa. Njerëzit janë shumë të vëmendshëm ndaj raportit që ftuesi ka me ftesën.. Ftuesi është dëshmi për ftesën e tij, sepse pikërisht kjo gjë mund të bëhet shkak, që ata ta pranojnë ftesën, por mund të jetë edhe shkak i refuzimit të saj. Të paktë janë ata, të cilët i përmbajhen parimeve të caktuara, ndërkohë që shumica e njerëzve vetëm sa flasin në emër të këtyre parimeve.
Sa më i fortë të jetë parimi, aq më i angazhuar është personi me të dhe aq më e vështirë bëhet rruga për të shkuar drejt synimit. Feja islame ka obligime dhe detyrime, të cilat e bëjnë të vazhdueshme dhe të pandërprerë përpjekjen për arritjen e gradave (të larta) dhe ajo (përpjekja) nuk venitet kurrë.
Kur ftuesi qëndron larg obligimeve dhe detyrimeve të fesë, atëherë ai bëhet sprovë (fitne) e madhe për njerëzit, sepse me sjelljen e tij i largon njerëzit nga feja dhe ua pret rrugën atyre. Shembulli i tij është si shembulli i banditit (piratit, kaçakut), madje ai është edhe më i keq. Ftuesi duhet të bëjë gjithmonë këtë lutje: “Zoti ynë, mos i mundëso popullit mizor të na sprovojë”([1]).
Imam Razi ka thënë: “O Zot, mos i mundëso atyre, që me forcë dhe dhunë të na shmangin nga feja”([2]). Po kështu, kur jobesimtarët kanë pushtet ndaj besimtarëve, kjo në vetvete përbën një dilemë për ta (jobesimtarët), sepse ata mendojnë se janë pasuesit e të vërtetës, ndërsa muslimanët janë në rrugën e gabuar.([3]) Pra pushteti që ata kanë ndaj muslimanëve konsiderohet një sprovë për ta, gjë që i bën të shmangen nga besimi.
Po ashtu edhe sjelljet e ftuesit – që bien ndesh me parimet e fesë Islame – bëhen shkak, që njerëzit t’i shmangen besimit, duke u argumentuar me faktin, se nëse kjo fe do të ishte e vërtetë, atëherë efekti i kësaj feje do të shfaqej dukshëm tek pasuesit e saj.
Shembuj realë:
Shokët e profetit (a.s) kanë qenë shembuj realë të ftesës dhe Islamit të tyre. Ja se si i përshkruan Hasan Basriu cilësitë e tyre: “Tek sahabët dallohen një sërë cilësish të mira, që tregojnë: madhështi, fisnikëri, udhëzim, sinqeritet, modesti në veshje dhe në të ecur, dëshirë për të punuar dhe për të fituar rrisk hallall, nënshtrim ndaj Allahut të Lartësuar, pasim dhe praktikim të rrugës së drejtë. Ata ishin të etur gjatë ditës (agjëronin), trupat e tyre u munduan (nga namazi i shumtë që falnin), punuan që të fitonin kënaqësinë e Allahut edhe nëse njerëzit zemëroheshin nga puna e tyre, gjuhët e tyre asnjëherë nuk pushuan së përmenduri Allahun, dhanë gjakun kur u thirrën që të përkrahnin fenë, shpenzuan nga pasuria e tyre kur iu kërkua të kontribuonin, karakterizoheshin me moral të lartë dhe çështja e riskut ishte diçka dytësore për ta”([4]).
Sahabët përçuan tek njerëzit një imazh të mirë të kësaj feje. Ata rezistuan përpara sprovave dhe vështirësive, duke mos kërkuar lehtësime (të detyrimeve fetare), pasi po të vepronin kështu, do të bëheshin sprovë për jobesimtarët.
Një shembull i tillë ishte Abdullah ibn Hudhafe Es Sehmi – shok i profetit (a.s) – i cili ishte zënë rob nga bizantët. Perandori bizantin iu drejtua atij me këto fjalë: “Bëhu i krishterë dhe unë do të ndja pushtetin tim me ty”, por ai e refuzoi një ofertë të tillë. Pastaj perandori urdhëroi që ta kryqëzonin dhe ta godisnin me shigjeta, por ai nuk u frikësua. Atëherë e zbritën nga trekëmbëshi, sollën përpara tij një kazan plot me ujë të valuar, dhe pastaj – me urdhrin e perandorit – hodhën në të një të burgosur, kockat e të cilit u shkrinë menjëherë. Pas kësaj perandori urdhëroi që ta hidhnin dhe Abdullahun në kazan, nëse nuk pranonte të bëhej i krishterë. Kur po e çonin afër kazanit, ai filloi të qante. Atëherë perandori tha: “Silleni këtu” dhe më pas e pyeti: “Përse qave”? Ai u përgjigj: “Do të doja të kisha 100 shpirtra dhe të gjithë t`i sakrifikoja për hir të Allahut”. Kjo përgjigje e habiti shumë perandorin bizantin.([5])
Banorët e vendeve të çliruara e pranuan fenë islame, kur panë sinqeritetin e sahabëve, besimin e palëkundur të tyre dhe praktikimin rigoroz që muslimanët i bënin fesë islame.
Ibn Kajim El Xheuzije ka thënë: “Për këtë arsye, shumica e të krishterëve besuan me dëshirë, kur panë sjelljet e sahabëve. Ata thanë: “Dishepujt e Isait (a.s) nuk janë më të mirë se këta (muslimanët)…”. Ibn Kajjimi vijon: “Ne dhe shumë të tjerë kemi ftuar shumë të krishterë, që të pranojnë fenë Islame, por përgjigja e tyre ka qenë: “Muslimanët janë shkak, që ne nuk e pranojmë fenë islame”.
Ibn Kajimi e ka thënë këtë fjalë në shekullin e 8-të të Hixhretit. Po sikur ai të jetonte në kohën tonë, kur sjelljet dhe veprat e muslimanëve bien ndesh me parimet e Islamit, çfarë do të thoshte vallë?!
Ftuesi mund të jetë një njeri i njohur, por mund të jetë edhe i panjohur tek njerëzit. Nëse ai njihet si një njeri i devotshëm dhe i përkushtuar, atëherë fjala e tij depërton në thellësi të zemrave, sepse devotshmëria dhe përkushtimi i tij janë pararojë dhe nxitës, që ftesa e tij të pranohet nga të tjerët.
Ama nëse përkushtimi i ftuesit nuk është aty ku duhet, atëherë fjala (ftesa) e tij kalon sipër kokave të njerëzve (dhe nuk arrin në zemrat e tyre), tamam si shigjeta e hedhur kot, që nuk e godet objektivin.
Vepra është më e mirë se fjala:
El Mauerdi në librin e tij “Edebud dunja ued din” thotë: “Ali Ibn Ebu Talib (r.a) thotë: “Njerëzit tashmë nuk e kërkojnë më dijen, për shkak se prej saj nxjerrin pak përfitime…”. Dikur është thënë, se vepra është më e mirë se fjala, ai që e thotë fjalën, është më i mirë se vetë fjala dhe ai që e mbart dijen, është më i mirë se dija… Disa reformatorë kanë thënë: “Dija vjen me punë, pasi në të kundërt ajo humbet”. Disa oratorë kanë thënë: “Dija plotësohet, duke punuar sipas saj, ndërsa puna plotësohet, duke qenë i përkushtuar ndaj saj”([6]).
Nëse ftuesi është i panjohur tek njerëzit, atëherë fjala e tij qëndron e varur ndërmjet pranimit apo refuzimit të saj, derisa njerëzit të interesohen për të (ftuesin). Nëse e njohin për njeri të devotshëm e të përkushtuar, atëherë fjala e tij pranohet, përndryshe ata nuk e marrin në konsideratë fjalën e tij.
Jeta e ftuesit – ajo private dhe ajo publike – është objekt vëzhgimi dhe sytë e njerëzve janë si një mikroskop i fuqishëm, që është drejtuar nga ai (ftuesi). Përpara se t`iu kërkojë të tjerëve, që të mos përgojojnë, ftuesi duhet të distanchoet vetë nga përgojimi dhe akuza që mund t`i bëjnë të tjerët. Ai duhet të ruhet nga çdo e metë, që mund të njollosë jetën e tij private apo publike.
Autor: Hemam Abdurahim Seid
Përktheu: Elton Harxhi
[1] – Sure Junus: 85
[2] – “Tefsir Razit”: 17/146.
[3] – “Tefsir Kurtubi”: 8/370.
[4] – “Hiljetul Eulijai”: 2/150.
[5] – “El Isabe”: 2/288.
[6] – “Edebud dunja ued din”: 85.
