Ga’za, qindra mijëra pa’lestinezë falën namazin e Bajramit në rrënojat e xhamive të shk’atërruara nga Iz’raeli

Qindra mijëra palestinezë në Gaza e kanë falur namazin e Kurban Bajramit mbi rrënojat e xhamive dhe shtëpive të shkatërruara nga sulmet izraelite, raporton Anadolu.

Pavarësisht luftës dhe vuajtjeve që po vazhdojnë prej 9 muajsh në Rripin e Gazës, palestinezët e kanë falur namazin e Bajramit mes tekbireve, ndërsa më pas ua uruan njëri-tjetrit Bajramin.

Duke folur për Anadolu, 70-vjeçari palestinez Nizam al-Najjar tha se çdo vit në festën e Kurban Bajramit e kanë bërë traditë faljen e namazit në zona të hapura dhe therjen e kafshëve në zona të hapura, por këtë vit nuk mund të realizojnë këtë traditë për shkak të luftës.

Najjar tha se shumë pak njerëz kanë mundur të therin kurban këtë vit për shkak të luftës që vazhdon, për arsye të bllokadës që Izraeli imponon ndaj Gazës.

Izraeli është përballur me dënimin ndërkombëtar për ofensivën e tij brutale të vazhdueshme në Gaza që nga sulmi i Hamasit më 7 tetor 2023, pavarësisht nga një rezolutë e Këshillit të Sigurimit të OKB-së që kërkon një armëpushim të menjëhershëm.

Më shumë se 37.000 palestinezë janë vrarë që atëherë në Gaza, shumica prej tyre gra dhe fëmijë, dhe mbi 85.000 të tjerë janë plagosur, sipas autoriteteve lokale shëndetësore.

Nëntë muaj pas fillimit të luftës izraelite, pjesë të mëdha të Gazës janë shndërruar në gërmadha mes një bllokade gjymtuese të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve.