Gazeta katalonase i uron Kosovës mirëseardhje, KON-Spanjës: Mos i pengo sportistët kosovarë

Gazeta sportive e Katalonisë, “L’Esportiu de Catalunya” ka vënë sot në ballinën e saj ekipin olimpik të Kosovës.

Me titullin “MIRËSEVINI”, gazeta i uron mirëseardhje ekipit të Kosovës, që do të marrë pjesë në Lojërat Mesdhetare Tarragona 2018, që mbahen prej 22 qershor – 1 korrik 2018.

“Komiteti Olimpik Ndërkombëtar (KON) e ka obliguar qeverinë spanjolle që mos të pengojë pjesëmarrjen e Kosovës në Lojërat Mesdhetare në Tarragona, edhe pse Madridi zyrtar nuk e njeh Kosovën si shtet”, shkruan gazeta.

Pra Kosova do të jetë pjesëmarrëse, përkundër se Spanja nuk e njeh Kosovën dhe pasaportat e saj.

Në rrafshin politik, Spanja është shumë kundërshtuese e Kosovës, duke kërcënuar edhe me bllok të iniciativave në BE për avancimin e vendit tonë në rrugën drejt anëtarësimit në BE.