Gazetarët palestinezë protestuan në Gaza kundër vrasjes së gazetares së Al Jazeera-s

Gazetarët palestinezë në Rripin e Gazës kanë protestuar kundër vrasjes së gazetares së Al Jazeera-s, Shireen Abu Akleh, nga ushtarët izraelitë derisa ajo kryente detyrën në Palestinë, raporton Anadolu Agency (AA).

Në dy protesta të zhvilluara me thirrjen e Sindikatës së Gazetarëve të Palestinës dhe institucionet mediatike, janë mbajtur fotografitë e Abu Akleh-s si dhe pankartat me mbishkrimin “Zëri i së vërtetës nuk do të mund të heshtet”.

“Al-Jazeera konsideron përgjegjëse qeverinë izraelite për krimin gjakftohtë”, tha gazetari i rrjetit televiziv Hisham Zaqout, në protestën e parë të mbajtur pranë zyrës së televizionit Al Jazeera në Gaza.

Sipas tij, shënjestrimi i gazetarëve palestinezë nga Izraeli, synohet pengimi përcjelljes së mesazhit të tyre në botë, ndërsa shtoi se do të japin përpjekje që të hetohen ata që kanë hise në vrasjen e Abu Akleh.

Zëvendëskryetari i Sindikatës së Gazetarëve të Palestinës, Tahseen al-Astal, gjithashtu ishte ndër atyre që reaguan ndaj vrasjes së gazetares, duke bërë kërkesë për formimin e një komiteti ndërkombëtar të hetimit lidhur me rastin.

Shireen Abu Akleh, 51-vjeç, u qëllua për vdekje teksa mbulonte bastisjen izraelite në qytetin Jenin sot në mëngjes.

Videot në platformat e mediave sociale treguan njerëz që bartnin gazetaren e Al Jazeera-s në një makinë, ndërsa ajo kishte veshur një jelek antiplumb ku shkruhej “Press”.

Shireen Abu Akleh ka lindur në Kuds në vitin 1971 dhe ishte diplomuar për degën Gazetari dhe Media në Universitetin Yarmouk në Jordani. /aa