Gazetari italian do ta kthejë urdhrin francez të nderit pasi i njëjti iu dha edhe Sisit

Gazetari dhe shkrimtar italian Corrado Augias kritikoi dhënien e urdhrit të nderit “Legion d’Honneur” presidentit egjiptian Abdel Fattah al-Sisi nga ana e presidentit francez Emmanuel Macron dhe deklaroi se ai do ta kthejë këtë dekoratë të cilën e ka marrë më herët, transmeton Anadolu Agency (AA).

Augias, në një kolumnë në La Repubblica, reagoi për ndarjen e urdhrit francez të nderit “Legion d’Honneur” për presidentin e Egjiptit.

“Unë do të shkoj në Ambasadën e Francës për ta kthyer urdhrin e nderit të hënën, më 14 dhjetor. Mund të them se ky është një gjest thjesht simbolik, emocional por serioz, shkroi Augias.

Augias po ashtu ka kujtuar studiuesin italian Giulio Regeni, i cili u gjet i vdekur në Egjipt rreth pesë vjet më parë.

“Presidenti Macron nuk duhej t’i kishte dhënë urdhrin ‘Legion d’Honneur’ presidentit egjiptian Sisi, i cili, thënë objektivisht, ishte një bashkëpunëtor i kriminelëve të neveritshëm. E them këtë për nder të kujtimit të tij, por edhe për rëndësinë e kësaj dekorate, e cila jepet në Francë për më shumë se dy shekuj”, tha gazetari italian.

Duke theksuar se ka kufij që madje edhe krerët e shteteve nuk duhet t’i kalojnë gjatë administrimit të shtetit, ai deklaroi se Macron bëri punë të padrejtë kur i dha këtë urdhër Sisi. Augias gjithashtu pyeti se çfarë ka bërë Sisi për ta merituar këtë dekoratë dhe cilat ishin meritat e tij.

Augias vuri në dukje në rastin Regeni, qeveria egjiptiane, duke filluar nga Sisi, ishte fajtore për shkeljen e drejtësisë, ligjeve dhe të drejtave të njeriut.

Ai ka shkruar se vrasja e Giulio Regeni-t është një plagë e hapur e përgjakshme dhe fyerje për italianët.

Corrado Augias deklaroi se ai e di shumë mirë se si funksionojnë mekanizmat e punës dhe diplomacisë dhe se ekuilibri i drejtësisë u prish kur Sisit iu dha urdhri e nderit.

Nga ana tjetër, urdhri i nderit “Legion d’Honneur” i dhënë në Francë presidentit egjiptian Sisi vazhdon të jetë objekt kritikash në shtypin italian.

Vrasja e Giulio Regeni-t

Giulio Regeni, 28 vjeç, student doktorate në Universitetin britanik të Kembrixhit, u zhduk më 25 janar 2016, ndërsa ishte duke bërë hulumtime mbi sindikatat dhe aktivistët në Egjipt, dhe trupi i tij u gjet në rrugën Kajro-Aleksandri më 3 Shkurt. Maurizio Massari, ambasadori i Italisë në Kajro në atë kohë, deklaroi se Regeni kishte gjurmë torturash në trupin e tij. Në shtyp u shkrua se nëna Paola Deffendi Regeni gjithashtu arriti ta identifikonte djalin e saj nga hunda.

Hetimi për vrasjen e Regeni-t, i cili u njoftua nga Prokuroria Publike e Romës më 10 dhjetor, zbuloi detaje të rëndësishme, të tilla si vdekja e studiuesit të ri italian ndodhi si rezultat i torturave dhe përfshirja e katër pjesëtarëve egjiptianë të shërbimit sekret dhe të sigurisë.

Që atëherë, opinioni dhe autoritetet italiane u kërkojnë autoriteteve egjiptiane të sqarojnë se si vdiq Regeni. Kjo situatë herë pas here ka shkaktuar tensione në marrëdhëniet Itali-Egjipt.