Nëse brezat e mëparshëm shikonin punën si themel të identitetit dhe suksesit personal, për brezin Gen Z ajo po kthehet në burim ankthi dhe zhgënjimi.
Për shumë të rinj sot, puna nuk është më simbol i stabilitetit apo zhvillimit profesional, por një përvojë e lodhshme dhe shpesh çnjerëzore.
Një treg pune që i mbyll dyert të rinjve
Ekonomisti Michael Madowitz nga Instituti Roosevelt e përshkruan tregun aktual të punës si “një bllokim të tmerrshëm”.
Sipas tij, për një të ri që sapo ka mbaruar studimet, hyrja në treg është si të përpiqesh të futesh në një autostradë ku askush nuk të lejon të bashkohesh, u shpreh për New York Times.
Për më tepër, procesi i aplikimeve online ka krijuar një konkurrencë marramendëse, për çdo vend të lirë pune garojnë qindra kandidatë. Dhe megjithatë, ky është vetëm fillimi i problemit.
Kur Inteligjenca Artificiale zë vendin e njeriut
Një tjetër pengesë e rëndësishme është ndikimi i Inteligjencës Artificiale në proceset e rekrutimit. Richard Yoon, student ekonomie në Columbia, tregon se nga 20 intervista që zhvillojnë kolegët e tij, 19 bëhen me “bots”, pra me sisteme automatike, jo me njerëz.
Shumë kandidatë sot ndihen të detyruar të “rishkruajnë” CV-të e tyre duke përdorur fjalë kyçe që u pëlqejnë algoritmeve, vetëm për të pasur një shans minimal që aplikimi të shqyrtohet nga një njeri i vërtetë.
Nga puna në realitetin distopik të “bossware”
Por edhe për ata që arrijnë të punësohen, sfidat nuk mbarojnë. Shumë të rinj raportojnë mungesë mbështetjeje, mikro-menaxhim të tepruar dhe mungesë të zhvillimit profesional.
Një shembull është Stevie Stevens, 27 vjeçe nga Ohio, e cila u largua nga puna e saj në një kompani dizajni për shkak të kontrollit të vazhdueshëm dhe mungesës së trajnimeve. Ajo përmend edhe “teknologjitë e mbikëqyrjes”, aplikacione që monitoronin çdo veprim të saj për të matur produktivitetin.
Një raport i New York Times në vitin 2022 tregoi se shumë kompani përdorin të ashtuquajturin “bossware” për të ndjekur përdorimin e tastierës, lëvizjet apo kohën e qëndrimit në telefon, duke penalizuar punonjësit për çdo sekondë që perceptohet si “joaktive”.
I punësua ose i papunë, ndjenja është e njëjtë
Sipas një studimi të National Bureau of Economic Research, ndjenja e dëshpërimit mes punonjësve të rinj është në rritje të vazhdueshme.
Për ata nën moshën 25 vjeç, niveli i mirëqenies mendore është pothuajse i njëjtë me atë të të papunëve, diçka që nuk është vërejtur më parë.
Në vitin 2024, kënaqësia nga puna për të rinjtë ishte rreth 15 pikë më e ulët sesa për punonjësit mbi 55 vjeç. Kjo rënie e ndjeshme lidhet me rritjen e presionit, mungesën e autonomisë dhe ndikimin e teknologjisë në çdo aspekt të jetës profesionale.
Dy arsye pse Gen Z është kaq e pakënaqur
Sipas analizës së New York Times, ekzistojnë dy shpjegime kryesore:
1. Ndryshimi i perceptimit, të rinjtë kanë pritshmëri më të larta për lumturinë në punë, të ushqyera nga krahasimet në rrjetet sociale.
2. Degradimi i mjedisit të punës, megjithëse orari i punës nuk është zgjatur, intensiteti dhe mbikëqyrja janë shtuar ndjeshëm. Çdo lëvizje monitorohet, duke lënë shumë të rinj me ndjesinë se nuk kanë asnjë kontroll mbi jetën e tyre profesionale.
Në një realitet ku punësimi po i ngjan gjithnjë e më shumë një eksperimenti social, brezi Gen Z duket se po përballet me një sfidë ekzistenciale, të punosh apo të ruash shëndetin mendor?
Për shumë prej tyre, përgjigjja po bëhet gjithnjë e më e qartë…
