Kryetari i përkohshëm i Fondacionit Humanitar të Gazës (GHF), John Acree, ka mirëpritur një ndihmë prej 30 milionë dollarësh nga qeveria e Shteteve të Bashkuara, në një kohë kur organizata përballet me kritika të ashpra për mënyrën e shpërndarjes së ndihmave që ka sjellë kaos dhe viktima të shumta.
“Presim që edhe organizata të tjera humanitare të bashkohen me ne, në mënyrë që të ushqejmë edhe më shumë njerëz në Gaza,” tha Acree në një deklaratë, duke bërë thirrje për “unitet dhe bashkëpunim”.
Por organizatat kryesore të ndihmës dhe Kombet e Bashkuara kanë refuzuar të punojnë me GHF, duke e akuzuar atë për shkelje të parimeve bazë humanitare. Sipas tyre, GHF bashkëpunon drejtpërdrejt me trupat izraelite dhe përdor roje private të armatosura amerikane në terren.
Pamje të publikuara në rrjetet sociale tregojnë qytetarë palestinezë, përfshirë fëmijë, duke u qëlluar ndërsa përpiqen të marrin ushqim nga qendrat e GHF.
Sipas Zyrës së Medias të Qeverisë së Gazës, deri të enjten, të paktën 549 palestinezë janë vrarë pranë pikave të ndihmës së GHF. /mesazhi
