Ballina Sport Futboll Giresse thotë se edhe ndeshja ndaj Ishujve Faroe do të jetë për...

Giresse thotë se edhe ndeshja ndaj Ishujve Faroe do të jetë për t’i testuar lojtarët e rinj

Kosova e ka mbajtur stërvitjen e fundit para ndeshjes së radhës miqësore kundër Ishujve Faroe, që zhvillohet të shtunën, në orën 18:00, në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

Kjo do të jetë miqësorja e dytë e këtij muaji, pas asaj kundër Armenisë, tri ditë më parë, e cila u mbyll baras 2-2.

Përzgjedhësi i Kosovës, Alain Giresse, ka thënë se edhe miqësorja kundër Ishujve Faroe do të jetë në shërbim të strategjisë për t’i dhënë hapësirë lojtarëve të rinj.

“Pas ndeshjes me Armeninë, edhe kjo miqësore bën pjesë në strategjinë që t’i japim hapësirë lojtarëve të rinj dhe do të mundohemi që nesër të inkuadrojmë ata lojtarë që kanë pasur më pak hapësirë në ndeshjen e parë”, ka thënë Giresse.

Ai ka thënë se ekipi është i gatshëm dhe me vetëbesim për të dhënë më të mirën.

“Luajmë gjithmonë për të fituar, por se a fitojmë a jo nuk mund të them tani, le të shohim nesër çfarë do të ndodhë. Sidoqoftë, ne gjithmonë përgatitemi për të fituar”, ka shtuar timonieri i Dardanëve.

Në pyetjen se cilët lojtarë të rinj mund të jenë në grumbullimin e ardhshëm, Giresse ka thënë se tani nuk mund të bëjë një bilanc, përderisa nuk janë zhvilluar dy ndeshjet miqësore.

“Presim që të zhvillohet edhe ndeshja e nesërme dhe pastaj do të bëjmë një bilanc për lojtarët dhe cilët prej tyre mund të jenë pjesë e Kombëtares në të ardhmen”, ka nënvizuar Giresse.

Exit mobile version