Gjermani, rritet numri i deputetëve me origjinë emigrante në parlamentin federal

Në zgjedhjet e përgjithshme të mbajtura më 26 shtator në Gjermani, është rritur numri i deputetëve me origjinë emigrante të zgjedhur në Parlamentin federal (Bundestag), transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas një hulumtimi të zhvilluar nga faqja e internetit “Mediendienst Integration” thuhet se arrin në 83 numri i deputetëve me origjinë emigrante që kanë hyrë në Parlamentin federal pas zgjedhjeve të përgjithshme.

Në hulumtim thuhet se 26 për qind e popullatës së vendit përbëhet nga personat me origjinë emigrante dhe se vetëm 11.3 për qind e deputetëve në Parlamentin federal janë me origjinë emigrante.

Në legjislaturën e mëparshme në Parlamentin federal ishin 58 deputetë me origjinë emigrante ndërsa në zgjedhjet e fundit kjo shifër u rrit me 3 për qind në krahasim me legjislaturën e mëparshme.

Në parlament Partia e Majtë ka numrin më të madh të deputetëve me origjinë emigrante me 28.2 për qind.

Partia e Majtë ndiqet nga Partia Social Demokrate (SPD) me 17 për qind, të Gjelbrit me 13.6 për qind, Alternativa për Gjermaninë (AfD) me 7.2 për qind, Partia Demokratike e Lirë (FDP) me 5.4 për qind dhe partitë e Unionit Kristian (CDU/CSU) me 4.6 për qind.

Sipas hulumtimit, tek SDP ndodhen 35 deputetë me origjinë emigrante, tek të Gjelbrit 16 deputetë, tek Partia e Majtë 11, tek CDU/CSU 9, tek AfD 6 dhe tek FDP 5 deputetë.

Në këtë legjislaturë detyrën e deputetit do ta ushtrojnë 18 deputetë me origjinë turke nga parti të ndryshme.

9 deputetë në parlamentin rajonal të Berlinit

Thuhet se 9 deputetë me origjinë turke kanë hyrë në parlament në zgjedhjet parlamentare rajonale të Berlinit që u mbajtën më 26 shtator.

Komisioni Zgjedhor rajonal i Berlinit tha se në parlamentin rajonal të Berlinit do të përfshihen nga SPD deputetët Derya Çağlar, Sebahat Atlı, Sevim Aydin dhe Orkan Özdemir ndërsa nga të Gjelbrit Taylan Kurt, Tuğba Bozkurt, Turgut Altuğ dhe nga Partia e Majtë Elif Eralp dhe Ferat Koçak.